BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Konferenca rajonale me rastin e 10-vjetorit të Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës

Data e publikimit: 17.09.2007

 

Me ftesë e z. Kemal Kozaric, Guvernator i Bankës Qendrore të Bosnje - Hercegovinës, guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, z. Ardian Fullani; të Malit të Zi, z. Ljubisa Krgovic; të Maqedonisë, z. Petar Goshev; të Serbisë, z. Radovan Jelasic; zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, z. Florin Georgescu; anëtari i Bordit të Politikës Monetare të Bankës së Greqisë, z. George Demopoulos dhe anëtari i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Lokman Gunduz, morën pjesë në konferencën rajonale të organizuar me rastin e 10 -vjetorit të Bankës Qendrore të Bosnje - Hercegovinës, në Sarajevë.

guvernatori ne takimin 3

(Foto nga konferenca rajonale me rastin e 10-vjetorit të Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës.)

Gjatë kësaj konference, Guvernatorët e bankave qendrore të rajonit janë mbledhur në një panel të veçantë me titull "Bashkëpunimi i ardhshëm i bankave qendrore të rajonit", të drejtuar nga ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, z. Peter Nicholl.

Në këtë panel, z. Fullani ka mbajtur një fjalim me temë "Bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore". Në fjalën e tij, Guvernatori Fullani ka hedhur idenë e organizimit të një forumi vjetor të bankave qendrore të Evropës Juglindore, në të cilin mund të diskutohen në detaje jo vetëm çështje të tilla makroekonomike si: stabiliteti financiar, statistikat, sistemet e pagesave, kërkimet ekonomike, por dhe çështje të tjera që lidhen me aktivitetin e përditshëm të një banke qendrore.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Fullani theksoi se vendet e rajonit janë duke ecur në rrugë të mbarë, duke lënë pas statusin e vendeve në tranzicion dhe duke hyrë në bashkësinë e vendeve të tregjeve në zhvillim. Në këtë proces, bankat qendrore të rajonit nevojiten të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm për të mbështetur vendet e tyre drejt progresit dhe reformave të përbashkëta.