BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Leksion i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në London School of Economics and Political Science (LSE) (Shkolla për Shkenca Ekonomike dhe Politike në Londër), 3 nëntor 2007, Londër

Data e publikimit: 05.11.2007

 

Me ftesë të z. Howard Davies, Drejtor i London School of Economics and Political Science (LSE) (Shkolla për Shkenca Ekonomike dhe Politike në Londër), Guvernatori Fullani mbajti një leksion në ambientet e këtij Universiteti me temë "Konvergimi ekonomik dhe institucional i Evropës Juglindore drejt BE-së: Pikëpamja e Shqipërisë".

Leksioni u ndoq nga lektorë të këtij Universiteti si dhe nga studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë këtij universiteti.

Në leksionin e tij, z. Fullani u ndal në zhvillimet ekonomike, që kanë karakterizuar vendin tonë gjatë viteve të fundit. Ndër të tjera, ai veçoi stabilitetin makroekonomik të vendit, i cili pasqyrohet në një rritje vjetore rreth nivelit 6 për qind, në rritje të të ardhurave për frymë, në mbajtjen e inflacionit brenda nivelit 2 - 4 për qind, në konsolidimin e deficitit fiskal, si dhe në stabilitetin e monedhës sonë kombëtare.

Në vijim të leksionit, Guvernatori përmendi hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të arritjes së objektivave të saj, duke u përqendruar në përgatitjet e bëra për fillimin e zbatimit të regjimit të inflacionit të shënjestruar në fillim të vitit 2009.

Në të njëjtën kohë, z. Fullani u ndal edhe në çështjet e zhvillimit të sistemit financiar të rajonit, në karakteristikat e përbashkëta si dhe në sfidat me të cilat ai përballet. Ai u shpreh se sistemi financiar i rajonit ka njohur zhvillime të konsiderueshme këto vitet e fundit dhe se ai është një nga promotorët e konvergimit të rajonit drejt standardeve të BE-së.

Guvernatori Fullani e mbylli leksionin e tij duke theksuar nevojën për kryerjen e reformave më të mëdha në drejtim të arritjes së demokracisë dhe të ekonomisë së tregut, me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Në përfundim të leksionit të tij, z. Fullani zhvilloi një takim me profesorë dhe studentë shqiptarë që punojnë dhe studiojnë pranë këtij universiteti, duke i njohur ata nga afër me politikat ambicioze të Bankës së Shqipërisë, për thithjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në shkollat prestigjioze, siç është edhe LSE.

LSE është një nga universitetet më të shquara e me famë botërore në fushën e kërkimit ekonomik, politik dhe shoqëror. I themeluar në vitin 1895, ai gëzon një reputacion për aftësitë e tij akademike. Që prej themelimit të tij, LSE ka synuar të shndërrohet në një laborator shkencash shoqërore, në një vend ku idetë zhvillohen, analizohen, vlerësohen dhe shpërndahen në mbarë globin.