BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbahet Takimi Bilateral Screening BE- Shqipëri për kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”
Data e publikimit: 16.06.2023
Në vijim të procesit të negocimit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe sipas agjendës së përcaktuar për grup-kapitujt e tretë, në datën 15 qershor 2023 u zhvillua në Bruksel takimi dypalësh screening për Kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”.
Kapitulli 17 i dedikohet legjislacionit evropian lidhur me hartimin dhe koordinimin e politikave makroekonomike në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë ka rolin e liderit të Grupit Ndërinstitucional të Integrimit Evropian për këtë Kapitull, nën drejtimin e negociatores Natasha Ahmetaj, Zëvendësguvernatore e Dytë e BSH-së.
Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga ekspertë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sipas agjendës së parapërcaktuar, pala shqiptare shpjegoi kuadrin shqiptar ligjor dhe institucional, duke nënvizuar përafrimin e deritanishëm dhe hendeqet ekzistuese në raport me kuadrin ligjor dhe institucional të BE-së për çdo tematikë të kapitullit.
Disa nga çështjet kryesore të kapitullit që u prezantuan nga pala shqiptare kanë të bëjnë me procedurat e koordinimit të politikave ekonomike në fazën e para-anëtarësimit, kuadrin aktual të buxhetimit kombëtar, monitorimin fiskal, pavarësinë e bankës qendrore, parashikimin ligjor lidhur me financimin monetar të qeverisë dhe ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në sistemin financiar, politikat e kursit të këmbimit dhe çështjet e mbrojtjes së parasë nga falsifikimi.
Në vijim të prezantimeve të palës shqiptare, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian shtruan një sërë pyetjesh për të cilat morën përgjigje sipas fushave të përgjegjësisë nga ekspertët e delegacionit shqiptar.
Në përfundim të takimit, z. Marc Jorna, në cilësinë e kryetarit të Delegacionit të Komisionit Evropian, falënderoi përfaqësuesit e palës shqiptare për prezantimet e detajuara dhe vlerësoi të gjithë kontributin e të pranishmëve në takim. Ai informoi se Komisioni Evropian do të përgatisë Raportin Screening për këtë kapitull, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.