BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Forumin e organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, me temë Tendencat në administrimin e rezervës valutore

Data e publikimit: 29.10.2007

 

Sot në datë 29 tetor 2007, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore, organizoi në ambientet e hotel "Tirana International" forumin "Tendencat në administrimin e rezervës valutore". Pjesëmarrës në këtë forum ishin ekspertë të fushës së investimeve në Bankën Botërore, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, si dhe të ftuar nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, puna e të cilëve lidhet drejtpërdrejtë me administrimin e rezervës valutore dhe me investimin e saj. E ftuar në këtë forum, ishte dhe Drejtoresha për Shqipërinë në Bankën Botërore, zj. Camille Nuamah.

Foto BB 29 tetor 2007 1158 0

Ky forum, kishte për qëllim diskutimin e tendencave aktuale globale lidhur me mënyrën e administrimit të rezervës valutore nga ana e bankave qendrore. Vitet e fundit, vihet re një rritje e ndjeshme e rezervave valutore që administrohen nga bankat qendrore në të gjithë botën. Ky fakt, dëshmohet dhe nga ecuria e këtyre rezervave, të cilat nga viti 2000 e deri në vitin 2006, janë dyfishuar duke arritur në 5.1 trilionë dollarë amerikanë.

Ky forum, u përshëndet dhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili pasi falënderoi Bankën Botërore për asistencën dhe ekspertizën teknike mjaft të vlefshme të ofruar në fushën e administrimit të rezervës valutore, ndau me të pranishmit përvojën e krijuar nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë, si dhe paraqiti hapat e ndërmarrë prej saj në kuadrin e përmirësimit të procesit të administrimit të kësaj rezerve, me synim përputhjen e këtij procesi me praktikat më të mira botërore.

Viti 2006 shënoi një kapitull të ri në administrimin modern të rezervës valutore. Në kuadrin e rishikimit të plotë të bazës rregullative, gjatë këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dy rregullore të rëndësishme, që lidhen me administrimin e rezervës valutore. Rregullorja e parë "Mbi politikën e investimit", ka për qëllim formulimin e qartë të objektivave që do të udhëheqin procesin e investimit të rezervës valutore, gjë e cila ka mundësuar që në aktivitetin ditor të ketë një agresivitet në rritje, në terma të kthimit dhe të rrezikut, duke kaluar nga transhi i parë tek ai i fundit. Ndërkohë që, rregullorja e dytë "Mbi funksionet e strukturave drejtuese në kuadër të procesit të administrimit të rezervës" synon specifikimin e rolit dhe të përgjegjësive të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Komitetit të Investimit në procesin e vendimmarrjes së administrimit të rezervës.

Në fjalën e tij, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e krijimit të Komitetit të Investimit, duke shprehur se ai përfaqëson tashmë një strukturë më aktive në procesin e administrimit të rezervës valutore. "Ky Komitet krijon fleksibilitetin e kërkuar gjatë procesit të investimit për t'iu përshtatur në kohë zhvillimeve dinamike në tregjet financiare... Me konsolidimin e kësaj strukture vendimmarrëse, ne jemi tashmë të fokusuar në krijimin e një kulture investimi që është mjaft e rëndësishme për një vlerësim të plotë dhe të saktë të rreziqeve dhe për një vendimmarrje më efektive në të ardhmen."

Në përfundim të fjalës së tij, z. Fullani paraqiti projektin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, i cili ka të bëjë me vënien në zbatim të një sistemi, që do t'i shërbejë plotësimit të gjithanshëm të nevojave që lindin gjatë procesit bashkëkohor të investimit të rezervës valutore.

Pas fjalës përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, forumi vijoi me referimet e ekspertëve të Bankës Botërore mbi tendencat në administrimin e rezervës valutore dhe mbi politikën e investimit të saj.