BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Konferencën e 9-të ndërkombëtare me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”

Data e publikimit: 15.09.2011

 

Në datë 15 shtator 2011, Banka e Shqipërisë organizoi konferencën e 9-të Ndërkombëtare me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”. Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Bankën e Italisë, në kuadër të Projektit të binjakëzimit, mes dy bankave qendrore .

Fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani i cili vuri në dukje rëndësinë e krijimit të një kulture financiare në shkallë të gjerë kombëtare: “Për ne edukimi financiar është një e mirë publike e cila duhet të destinohet për të gjithë”.

Punimet e kësaj konference u përshëndetën nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode, Ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri Shkëlqesia e tij z. Ettore Sequi zëvendësministri i Arsimit z. Halit Shamata, Drejtori Menxhues i Bankës së Italisë z. Franco Passacantando.  Ndërkohë lektori kryesor i këtij aktivitet ishte  i ftuari i veçantë, z. Dejan Soskic, Guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë. 

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të shumë të bankave qendrore të rajonit, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, emra të njohur të botës akademike ekonomike dhe financiare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Kjo konferencë morri shkas nga  rëndësia në rritje e edukimit financiar në mbarë botën, sidomos pas zhvillimeve të fundit ekonomike dhe krizës financiare globale. Kjo e fundit nxori në pah domosdoshmërinë e krijimit të një kulture financiare me qëllim uljen e rreziqeve dhe rritjen e mirëqenies së konsumatorëve, si rrjedhojë e një vendimmarrje më të përgjegjshme. Gjatë punimeve të konferencës u prezantuan dhe rezultatet paraprake të vrojtimit për matjen e  kulturës financiare në Shqipëri. Të dhënat e përftuara prej analizimit të rezultateve të këtij vrojtimi,  të ndërtuar sipas metodologjisë së OECD-së, do të kontribuojnë në: matjen e kulturës financiare të qytetarëve shqiptarë dhe identifikimin e nevojave specifike të popullsisë për sa i përket problematikave të ndryshme të edukimit financiar;  cilësimin e nivelit të kulturës financiare të qytetarëve sipas përkatësisë së tyre socio-demografike; do të  ndihmojnë punën e autoriteteve për një identifikim më të mirë të nevojave dhe mjeteve që duhet të përdoren për një edukimin eficent financiar të publikut; si dhe do të mundësojnë krahasimin e të dhënave midis 12 vendeve që kanë kryer këtë vrojtim, të bazuar në metodologjinë e OECD-së. Raporti i plotë krahasues do të publikohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbylli punimet e kësaj konference duke theksuar edhe një herë  rëndësinë  e hartimit dhe zbatimit të një strategjie kombëtare për edukimin financiar.  Ai vuri në dukje se Banka e Shqipërisë është e gatshme të  bashkëpunojë me sektorin publik dhe atë privat të vendit, për të krijimin e Strategjisë kombëtare të edukimit financiar në Shqipëri.