BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 10.12.2020

 

Në datat 10-11 dhjetor 2020, Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020, dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore.

DSC 2819

Puna kërkimore në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes bankare, gjithmonë ka dominuar në temat e këtij aktiviteti të përvitshëm. Këtë vit, Covid-19 u bë gjithashtu pjesë integrale e punimeve të këtij workshopi. Materialet e prezantuara diskutuan mbi masën dhe natyrën e efekteve negative që pandemia ka shkaktuar në ekonomi dhe ndikimin që ajo ka pasur mbi politikat e bankave qendrore. Gjatë dy ditëve të punimeve të aktivitetit do të prezantohen dhe diskutohen 23 materiale studimore, prej të cilave 11 materiale kanë për autorë punonjës të Bankës së Shqipërisë.

DSC 2803

Hapja e punimeve u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Ai u shpreh për të pranishmit se materialet studimore të përzgjedhura këtë vit përqendrohen në tema praktike, të cilat janë të rëndësishme për formulimin dhe vendimmarrjen e politikave në bankën qendrore.

Ai shtoi se studimet të cilat do të prezantohen, shërbejnë për Bankën e Shqipërisë si themeli i të kuptuarit të fenomeneve ekonomike dhe financiare, si dhe të ndërveprimit të politikave monetare e atyre makro dhe mikroprudenciale, me ekonominë. Falë kësaj kuptueshmërie dhe njohjeje, Banka e Shqipërisë modelon përgjigjen e politikave, dhe zgjedh instrumentet e duhura për t'iu përgjigjur goditjeve negative që mund të ndodhin në ekonominë tonë.

DSC 2761

Më tej, Guvernatori theksoi se për shkak të pandemisë, autoritetet hasën vështirësi  në kryerjen e detyrës së tyre, si pasojë edhe bankat qendrore krahas instrumenteve tradicionale të politikës monetare, kanë vënë në lëvizje dhe ato jokonvencionale. Bankat qendrore jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, duke u mbështetur në analizat dhe përfundimet e kërkimeve, janë në proces rishikimi të objektivave të tyre dhe të politikës monetare, ndaj po rishkruajnë ekonomiksin monetar, si një instrument të ri.

DSC 2777

Në prani të pengesave aktuale të hasura, bankat qendrore duhet të reagojnë dhe të gjejnë rrugë të reja për të mbështetur ekonominë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko ftoi fushën e kërkimit të udhëheqë rishikimet dhe modelet, në funksion të politikave ekonomike të qëndrueshme që mund të nxisin rritjen ekonomike, në prani të stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre duke u shprehur se kontributi i tyre shërben për të përmirësuar punën dhe konkluzionet e kërkimit shkencor, duke i bërë ato më të vlefshme për institucionet tona, sidomos në këtë periudhë krejt të pazakontë të shkaktuar nga Covid-19.