BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi bisedën e Guvernatorit të BSh z. Ardian Fullani me nxënës dhe mësues në gjimnazin "Petro Nini Luarasi" me temë "Edukimi kushton por nuk ka çmim!"

Data e publikimit: 09.02.2009

 

Sot në datën 9 shkurt 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, bisedoi me nxënës dhe mësues në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” të Tiranës, rreth temës “Edukimi kushton por nuk ka çmim!”.

guvernatori me nxenesit dhe mesuesit e petroninit1 2285 0

Aktiviteti është pjesë e programit të edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, i cili po zhvillohet nga Banka e Shqipërisë që prej 3 vjetësh.

Biseda me nxënësit u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik e financiar për brezin e ri; në rolin konkret të njohurive financiare në jetën e secilit; në vendin që zë shkolla dhe mësuesit në krijimin e dijeve të kësaj fushe.

“ Ne në Bankën e Shqipërisë,- u shpreh midis të tjerash zoti Fullani,- na pëlqen filozofia e krijimit të një kulture ekonomiko-financiare qysh në moshë të re. Mendoni për një moment se sa më e dobishme do të ishte në jetën e përditshme, sikur një gjimnazist i cili njeh mirë veprën e Viktor Hygosë, trigonometrinë dhe biologjinë, të dijë po kaq mirë të administrojë paratë e veta?!”.

Midis të tjerave, z. Fullani u theksoi të rinjve rëndësinë e njohurive financiare për jetën në të cilën ata po përgatiten të hyjnë. Të jesh student i ardhshëm apo jo; të kërkosh një punë apo të aspirosh të krijosh një biznes tëndin; të jetosh me familjen ose i pavarur prej saj; në të gjitha rastet, që të mund të jesh qytetar i botës së sotme duhet të jesh i orientuar drejt, në lidhje me zgjedhjet e tua financiare.

“ Njohuritë financiare, - tha Guvernatori, - janë si një çelës, jo për të hyrë në botën e të pasurve, siç mund të kujtojnë disa prej jush, - por për të jetuar me dinjitet në jetën e përditshme të të gjithëve ne!”.

Ky takim në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, vjen pas një sërë aktivitetesh që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar në Tiranë e Vlorë, me nxënësit e mësuesit. Ajo i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtyre grupeve të interesit, duke vlerësuar rolin e madh që mësuesit luajnë në transmetimin e dijeve tek të tjerët; duke vlerësuar faktin që të rinjtë shumë shpejt do të jenë aktorë aktivë në jetën ekonomike të vendit, e si të tillë duhet të jenë të përgatitur. Në shërbim të këtij qëllimi Banka ka punuar në disa drejtime: ka përgatitur botime të shumta edukative; ka organizuar seminare trainuese për mësuesit dhe punonjësit socialë të shkollave të mesme; ka organizuar një konkurs mbi njohuritë e nxënësve në fushën e politikës monetare; ka zhvilluar takime e biseda si ky i sotmi e shumë shpejt do të organizojë një takim rajonal, për të shkëmbyer eksperiencë me bankat homologe në këtë fushë.

guvernatori me nxenesit dhe mesuesit e petroninit2

Në përfundim, zoti Fullani i njohu nxënësit edhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë për të rritur besimin publik ndaj sistemit bankar shqiptar. Zoti Fullani i ftoi nxënësit e kësaj shkolle, që së bashku me ata të shkollave të tjera të vendit, t’i bashkohen Bankës së Shqipërisë në këtë nismë të re. Në qendër të këtij projekti do të jenë grupet e të rinjve, që pas një trainimi intensiv nga Banka e Shqipërisë do t’i drejtohen komunitetit me shpjegimet përkatëse rreth domosdoshmërisë për të pakësuar paranë cash, për të shtuar përdorimin e pagesave elektronike; për të kuptuar parimet dhe rregullat e transparencës së sistemit bankar; për të shpjeguar dobishmërinë e kursimeve, të institucioneve të ndryshme financiare, të përdorimit të produkteve të ndryshme të tyre.