BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi bisedën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, me nxënës dhe mësues në gjimnazin "Partizani" me temë "Edukimi kushton por nuk ka çmim!"

Data e publikimit: 09.03.2009

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, zhvilloi sot në datën 9 mars 2009, një takim me nxënës dhe mësues në gjimnazin “Partizani” të Tiranës, rreth temës “Edukimi kushton por nuk ka çmim!”. Ky aktivitet është pjesë e programit të edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, i cili po zhvillohet nga Banka e Shqipërisë që prej 3 vjetësh.

Ashtu si në aktivitete të tjera të këtij lloji, takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të lirë, mbi përgjegjësitë dhe objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, biseda me nxënësit u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik e financiar për brezin e ri dhe rëndësinë që ai ka për funksionimin e një ekonomie të shëndoshë ku njohuritë financiare kanë një rol konkret në jetën e gjithsecilit.

Ky takim ishte i veçantë në llojin e tij pasi nxënësit e gjimnazit “Partizani” biseduan me guvernatorin jo vetëm lidhur me rolin e bankës qendrore por edhe mbi çështje të përgjithshme që lidhen me situatën aktuale ekonomiko-financiare brenda dhe jashtë vendit.

guvernatori z

Duke sjellë si shembull fjalët e ekonomistit të madh anglez Alfred Marshall mbi “studimin e sjelljes financiare të njerëzve në jetën e përditshme”, zoti Fullani u shpreh se mënyra më e mirë për të patur sukses është të ndihmojmë njerëzit të kuptojnë lidhjen mes ekonomisë dhe jetës së përditshme. Lidhje që ka të bëjë me aftësinë për të marrë vendime të drejta ekonomike, ndërtimin e mirëqenies, të kuptuarit e rreziqeve që paraqet tregu dhe të vlerësuarit e vendimeve mbi politikat që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Në mbyllje Guvernatori i njohu nxënësit edhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë për të rritur besimin publik ndaj sistemit bankar shqiptar dhe i ftoi ata t’i bashkohen Bankës së Shqipërisë në këtë nismë të re.