BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ceremoninë e organizuar me rastin e fillimit të funksionimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 28.01.2008

 

Sot në datë 28 janar, në ambientet e Hotel Sheraton në Tiranë, u organizua ceremonia e fillimit të funksionimit të Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, përfaqësuesja rezidente e FMN-së në Tiranë, zj. Ann-Margret Westin, anëtarë të Kabinetit të Këshillit të Ministrave, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financës, drejtues të bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve financiare jobankare, të biznesit dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.

guvernatori ne takimin 3

Pas një pune disavjeçare të personelit të Bankës së Shqipërisë dhe me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Regjistri i Kredive filloi të funksionojë në datën 3 janar 2008. Ai përbën bazën elektronike të të dhënave për kredimarrësit e sistemit bankar shqiptar dhe ka për qëllim trajtimin e përqendruar të informacionit dhe të të dhënave, në lidhje me ekspozimin kreditor të çdo kredimarrësi dhe personave të lidhur me ta.

Qëllimi kryesor i Regjistrit të Kredive është të ndihmojë në kryerjen e transaksioneve të shëndosha kredituese, nëpërmjet vënies në dispozicion të informacionit mbi kredimarrësit, si dhe nxitjes së eficiencës dhe sigurisë së procesit të kredidhënies. Gjithashtu, ky Regjistër ndikon në uljen e informalitetit në ekonomi, në rritjen e vëllimit të kredive, duke reduktuar koston dhe kohën e procesit të kreditimit, si dhe në rritjen ekonomike të vendit.

Për qëllim të realizimit të funksionit mbikëqyrës dhe rregullator të Bankës së Shqipërisë, Regjistri i Kredive do të jetë një mekanizëm mjaft i vlefshëm dhe për trajtimin dhe sigurimin e informacionit në lidhje me ekspozimin kreditor të të gjithë kredimarrësve ndaj sistemit bankar në Republikën e Shqipërisë.