BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ceremoninë e prezantimit të projektit të informatizimit të lëvizjes së informacionit që lidhet me zhvillimin e ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë

Data e publikimit: 13.03.2008

 

Në datën 13 mars 2008, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, në bashkëpunim me kompaninë Reuters, zhvilluan në ambientet e Hotel Rogner Europapark, ceremoninë e prezantimit të projektit të informatizimit të lëvizjes së informacionit që lidhet me zhvillimin e ankandeve të tregut primar për shitjen e letrave me vlerë të Qeverisë Shqiptare.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Zëvendësministri i Financave, z. Sherefedin Shehu, drejtori i kompanisë Reuters për Evropën Juglindore, z. Stefan Bresslauer, drejtorë të përgjithshëm të bankave të nivelit të dytë si dhe përfaqësues të departamenteve të thesarit të këtyre bankave dhe të institucioneve të tjera që janë pjesëmarrëse në tregun primar.

guvernatori ne takimin 3

Në fjalën e tij me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, vlerësoi finalizimin e këtij projekti, duke u shprehur që ai minimizon mjaft kohëzgjatjen si dhe rrit eficiencën e procedurave të nevojshme për zhvillimin e ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, z. Fullani vuri theksin edhe në faktin që ky projekt finalizohet pas një viti bashkëpunimi të ngushtë midis Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe kompanisë Reuters, e cila ka realizuar zgjidhjen teknike të këtij projekti. Projekti synon shkurtimin e kohës si dhe rritjen e sigurisë dhe të saktësisë të kryerjes së procedurave të zhvillimit të ankandeve, duke siguruar midis te tjerave edhe minimizimin e rrezikut operacional.

Në përfundim, z. Fullani u shpreh se ky projekt u krijon më shumë mundësi bankave të nivelit të dytë për të administruar më me eficiencë fondet e tyre të lira, duke përbërë një hap më shumë në drejtim të krijimit të parakushteve për zhvillimin e tregut të parasë dhe atij të letrave me vlerë.

Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të Zëvendësministrit të Financave, z. Sherefedin Shehu, i cili vlerësoi ndërmarrjen e këtij projekti, duke theksuar faktin se ai do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe të efikasitetit të procedurave të ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë. Z. Shehu shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngushtë në fushën e administrimit të borxhit publik si dhe inkurajoi zhvillimet e mëtejshme në funksion të rritjes së transparencës dhe krijimit e përmirësimit të sistemeve të operacioneve të tregut.

Të pranishmit u përshëndetën dhe nga z. Stefan Bresslauer, drejtori i Reuters për Evropën Juglindore. Ceremonia u mbyll me prezantimin e projektit të informatizimit të lëvizjes së informacionit, që lidhet me zhvillimin e ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë.