BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi diskutimet me Misionin e FMN-së në kuadrin e Konsultimeve për Artikullin IV

Data e publikimit: 26.11.2019

 

Banka e Shqipërisë falënderon Misionin e FMN-së për bisedimet e frytshme që ka pasur gjatë dy javëve të fundit, në kuadrin e konsultimeve për Artikullin IV.

 

Në tërësi, konstatohet se Banka e Shqipërisë dhe FMN ndajnë pikëpamje të ngjashme mbi:

  • rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë; si dhe mbi,
  • nevojën për intensifikimin e reformave strukturore, si instrumenti i vetëm për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe për konvergjencën e shpejtë e të plotë me vendet e Bashkimit Evropian.

Në vijim gjeni një pasqyrë më të detajuar të këndvështrimit të Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar, perspektivat e zhvillimit, dhe politikat e reformat strukturore që duhen ndjekur për mbështetjen e tyre.

DSC 0244

Ekonomia shqiptare përjetoi një ngadalësim të ritmeve të rritjes në gjysmën e parë të vitit 2019. Analiza e të dhënave të disponuara tregon se ky ngadalësim është diktuar kryesisht nga goditje oferte, me ndikim të përkohshëm. Megjithatë, intensiteti i ndikimit të tyre ilustron nevojën për një diversifikim më të mirë të burimeve të rritjes në të ardhmen.

 

Në këndvështrimin e kërkesës agregate, zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka pasqyruar zgjerimin e konsumit privat dhe rritjen e të ardhurave të turizmit. Nga ana tjetër, vëllimi i eksporteve ka rënë dhe rritja e investimeve ka filluar të ndjejë efektin e përfundimit gradual të projektit TAP. Struktura e zgjerimit të kërkesës agregate është pasqyruar në strukturën e rritjes sipas sektorëve. Kështu, sektori i shërbimeve ka vijuar të rritet, ndërkohë që sektorët e industrisë dhe të ndërtimit kanë shfaqur një ecuri më të moderuar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se, pavarësisht këtij ngadalësimi, treguesit e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit vijojnë të mbeten solidë. Më konkretisht:

  • Punësimi dhe pagat janë rritur, ndërkohë që norma e papunësisë shënoi minimumin historik prej 11.5% në tremujorin e dytë. Rritja e mëtejshme e punësimit dhe pagave pritet të sjellë forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe të mbështesë kthimin e inflacionit në objektiv.
  • Pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar. Megjithëse deficiti i bilancit të pagesave u zgjerua në gjysmën e parë të vitit, borxhi i jashtëm i vendit zbriti në 62% të PBB-së në tremujorin e dytë, kundrejt nivelit prej 75% të PBB-së në vitin 2016.
  • Deficiti buxhetor mbetet i kontrolluar dhe borxhi publik është në rënie, ndonëse dobësitë fiskale mbeten të pranishme.
  • Sektori bankar është rentabël, me tregues likuiditeti dhe kapitalizimi mbi kërkesat rregullatore. Në veçanti, raporti i kredive me probleme ka zbritur në 10.6% të portofolit. Reduktimi i rrezikut të kreditit dhe konsolidimi i sektorit bankar krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë të kredisë në të ardhmen.
  • Së fundi, bilancet e sektorit privat, bizneseve dhe familjeve shqiptare, shfaqen në përmirësim.

 

Kjo ecuri ka pasqyruar, ndër të tjera, dhe kontributin e politikës monetare dhe masat makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

  • Stimuli monetar ka ndihmuar uljen e normave të interesit, duke nxitur rritjen e kredisë dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit të bizneseve dhe familjeve. Në këtë mënyrë, politika monetare ka ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe familjeve, çka ka krijuar më tej premisa për rritjen e punësimit e të pagave dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.
  • Paralelisht me të, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar kanë nxitur përmirësimin e shëndetit të bilanceve të tij financiare, kanë reduktuar rreziqet e veprimtarisë bankare, dhe i kanë hapur rrugë fuqizimit të rolit ndërmjetësues të këtij sektori në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë afatit të mesëm, por faktorët e rrezikut janë të zhvendosur në kahun e poshtëm. Këto rreziqe lidhen me një përkeqësim të mundshëm të ambientit të huaj, si dhe me vijimin e mundshëm të goditjeve të ofertës, ambientin e tensionuar politik dhe ritmin e realizimit të reformave strukturore në vend.

Lidhur me sa më sipër, Banka e Shqipërisë gjykon se politikat e administrimit ekonomik të vendit duhet të vijojnë të orientohen në garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit dhe reduktimin e rreziqeve. Më në detaje:

  • Politika monetare do të vijojë të ruajë kahun e saj stimulues gjatë gjithë horizontit afatmesëm, duke siguruar mbështetjen e nevojshme për rritjen ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv,
  • Politika fiskale duhet të vijojë të orientohet drejt vazhdimit të konsolidimit fiskal dhe reduktimit të borxhit publik. Paralelisht me të, financat publike duhet të vijojnë të angazhohen për reduktimin e dobësive fiskale, nëpërmjet:
    • vijimit të përpjekjeve për rritjen e formalizimit dhe uljen e qëndrueshme të evazionit fiskal;
    • përmirësimit të mëtejshëm të aftësive administruese dhe strukturës së borxhit publik;
    • monitorimit të ecurisë së skemave të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, duke synuar garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të tyre; si dhe
    • mbikëqyrjes së kujdesshme të programeve të PPP, duke synuar minimizimin e detyrimeve kontingjente mbi buxhetin e shtetit.

Paralelisht me politikat e kujdesshme monetare dhe fiskale, Shqipëria duhet të përshpejtojë punën për zbatimin e reformës strukturore. Ndër të tjera, kjo reformë duhet të synojë:

  • përmirësimin e ambientit të biznesit, në funksion të rritjes së investimeve vendase dhe të huaja;
  • rritjen e konkurrencës, promovimin e dijeve, inovacionit dhe përmirësimit të aftësive menaxheriale, në funksion të rritjes së eficiencës dhe konkurrueshmërisë së vendit;
  • përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës dhe hapjen e mëtejshme të tregjeve, në funksion të uljes së kostove dhe rritjes së përfitueshmërisë; si dhe,
  • vijimin e përafrimit të legjislacionit dhe politikave ekonomike me ato të Bashkimit Evropian, në funksion të uljes së rrezikut të perceptuar të vendit.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit financiar, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera relevante rregullatore. Drejtime parësore të punës do të jenë:

  • përmirësimi i funksionimit të tregjeve financiare dhe të sistemit të pagesave;
  • nxitja e mëtejshme e kreditimit, nëpërmjet zbatimit të Platformës për Rigjallërimin e Kreditimit në Shqipëri, e ndërmarrë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave,
  • vazhdimi i punës për reduktimin e kredive me probleme, si dhe përafrimi i mëtejshëm i kuadrit tonë mbikëqyrës e rregullator me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe parimet e Komitetit të Bazelit.