BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi forumin me temë: “Zhvillimi i tregut ndërbankar dhe përmirësimi i politikës operacionale në Bankën e Shqipërisë”, 21 qershor 2010

Data e publikimit: 21.06.2010

 

Banka e Shqipërisë zhvilloi sot forumin me temë: “Zhvillimi i tregut ndërbankar dhe përmirësimi i politikës operacionale në Bankën e Shqipërisë”. Në forumin e organizuar nga Banka e Shqipërisë merrnin pjesë përfaqësues të bankave tregtare që operojnë në tregun vendas. Të pranishmit në forum diskutuan mbi hapat e nevojshëm që duhen ndjekur për zhvillimin e tregut ndërbankar në Shqipëri.

foto nga forumi 3291 0

Në fjalën e tij të hapjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani u shpreh se “Thellimi dhe zgjerimi i tregut financiar është një nga reformat strukturore më të rëndësishme në ekonomi. Ajo duhet të jetë e vazhdueshme dhe kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Natyrshëm ajo përshtatet me fazat e ndryshme të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shtetit në tërësi. Unë besoj se nuk mund të ketë një ekonomi të zhvilluar dhe të integruar mirë pa pasur tregje të hapura, të integruara, eficientë, transparente dhe të mirërregulluara”.

Nëpërmjet këtij takimi Banka e Shqipërisë synonte ti bënte me dije operatoreve të tregut se është në fazën finale të procesit të rishikimit të objektivave të saj operacionalë.  Shumë shpejt, këto objektiva do të ndryshojnë formën e tyre, duke kaluar nga shënjestrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë, në shënjestrimin e normave të interesit të tregut ndërbankar. Nëpërmjet këtij ndryshimi do te synohet qe luhatja e normave afatshkurtra te interesit ne tregut ndërbankar te jete rreth normës bazë të Bankës se Shqipërisë.

Sipas  z. Fullani, ky ndryshim është ne vijim te  modernizimit te vendimmarrjes të politikës monetare e cila tani mbështetet në një analizë më të plotë të informacionit qe vjen nga ekonomia e tregu si dhe synon një  administrim më të mirë të pritshmërimeve të operatorëve në treg. 

Më tej në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë evidentoi faktin se, objektivi operacional inkuadrohet mirë në orientimin dhe angazhimin  afatmesëm të Bankës së Shqipërisë për adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të adoptimit me sukses të tij.