BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi hedhjen në qarkullim të monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 5 Lekë, emetim i vitit 2023
Data e publikimit: 05.06.2024
Banka e Shqipërisë njofton publikun se duke filluar nga data 20 qershor 2024 do të hidhen në qarkullim monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 5 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.
Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 5 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 2, datë 18.1.2023, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Monedhat metalike, me vlerë nominale 5 Lekë, emetim i vitit 2023, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje. Ndryshimi nga monedhat e mëparshme të së njëjtës prerje qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023”.
Nga data 20 qershor 2024, monedhat metalike me vlerë nominale 5 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.