BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e aksionerëve të Bankës Italiane të Zhvillimit

Data e publikimit: 27.06.2007

 

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur nga Banka Italiane e Zhvillimit sh.a. Tiranë, kërkesa për miratimin e transferimit të pronësisë së aksioneve të kapitalit aksioner nga aksioneri Francesco Mariano Mariano tek NEREO FINANCE S.A. dhe CERERE S.r.l.. Kërkesa është mbështetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr. 71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Sipas dokumentacionit të paraqitur, shoqëria NEREO FINANCE S.A. kërkon të zotërojë 37.00 për qind të aksioneve të Bankës Italiane të Zhvillimit. Shoqëria CERERE S.r.l. është e regjistruar në Itali dhe kërkon të zotërojë 18.00 për qind plus 2 aksione të Bankës. Struktura e aksionerëve të Bankës Italiane të Zhvillimit, në qoftë se do të miratohen këto transferime, do të jetë si më poshtë:

  1. Nereo Finance S.A. 37.00 %
  2. Cerere S.r.l. 18.00 % + 2 aksione
  3. Generali S.p.A. 10.00 % - 1 aksion
  4. Banka Podravska d.d. 10.00 % - 1 aksion
  5. Francesco Mariano Mariano 20.00 %, dhe
  6. Banca Popolare Pugliese 5.00 %

Shoqëria NEREO FINANCE S.A. është e regjistruar në Luksemburg në regjistrin tregtar të kompanive dhe në autoritetet e tatim-taksave të Luksemburgut. Adresa e shoqërisë është: 38 Avenue de la Faiencerie, L - 1510, Luksemburg. Objekti i veprimtarisë së shoqërisë, ndër të tjera, është blerja e pjesëmarrjeve sipas të gjitha formave që ekzistojnë, për të gjitha shoqëritë luksemburgeze ose të huaja.

Shoqëria CERERE S.r.l. është e regjistruar në Itali në Dhomën e Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë të Triestes si edhe në Agjencinë e të Ardhurave të Triestes. Selia e shoqërisë është në Trieste (TS), via Torrebianca 43, Itali. Kjo shoqëri ka për objekt të veprimtarisë së saj, ndër të tjera, tregtinë me shumicë, importimin, eksportimin, kalimin tranzit të produkteve bujqësore, të fruta-perimeve dhe të agrumeve, të produkteve ushqimore. Gjithashtu shoqëria ka për objekt edhe ushtrimin e çdo lloji veprimtarie financiare; blerjen, shitjen dhe administrimin e pasurive të paluajtshme, blerjen, shitjen dhe administrimin e shoqërive, ushtrimin e veprimtarisë së "Factoring" dhe "Leasing".

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".