BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e aksionerit të Bankës Amerikane të Shqipërisë

Data e publikimit: 29.05.2007

 

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur nga Banka Amerikane e Shqipërisë sh.a kërkesa për miratimin e transferimit të pronësisë së 80 për qind të aksioneve në kapitalin aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë sh.a., nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, tek Intesa Sanpaolo S.p.A, Itali. Kërkesa është mbështetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë" miratuar me vendim nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Asambleja e Aksionerëve të Bankës Amerikane të Shqipërisë mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm në dhjetor 2006, ka miratuar shitjen e pjesëmarrjes kontrolluese prej 80% të aksioneve të saj tek grupi bankar Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali. Marrëveshja për kryerjen e këtij integrimi është lidhur fillimisht me Bankën Sanpaolo Imi, Itali e cila më vonë është bashkuar sipas procedurës së përthithjes nga Banka Intesa, Itali duke krijuar Intesa Sanpaolo S.p.A.Itali.

Si rrjedhojë e këtij agregacioni, nga më të mëdhenjtë në Evropë për vitin 2006, i lancuar në muajin gusht dhe i aprovuar katër muaj më vonë në dhjetor 2006, shoqëria e përthithur Banka Sanpaolo Imi është inkorporuar tek shoqëria përthithëse Banka Intesa. Të gjitha asetet, detyrimet si dhe të gjitha marrëveshjet ku Sanpaolo është palë janë transferuar sipas ligjit tek Intesa.

Shoqëria Intesa Sanpaolo S.p.A. është shoqëri e krijuar nga ligjet e Republikës Italiane, me selinë ligjore në Piazza San Carlo, nr. 156, Torino, Itali dhe selinë tjetër në Milano, të regjistruar në regjistrin e kompanive të Torinos dhe në autoritetet fiskale, me NIPT dhe kodin përkatës fiskal. Shoqëria Intesa Sanpaolo S.p.A. ka si objekt të veprimtarisë së saj grumbullimin e kursimeve dhe ushtrimin e aktivitetit të kredive në forma të ndryshme, drejtpërdrejt si dhe nëpërmjet shoqërive të kontrolluara.

Në rast të miratimit nga Banka e Shqipërisë të këtij transferimi, struktura e aksionerëve të Bankës Amerikane të Shqipërisë do të jetë:

  1. Intesa Sanpaolo S.p.A. do të zotërojë 80 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë;
  2. Fondi Shqiptaro-AmerikanII Ndërmarrjeve do të zotërojë 20 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Amerikane të Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë është e interesuar të dijë opinionin dhe do të marrë në konsideratë çdo koment për këtë kërkesë. Komentet me shkrim mund të adresohen në:

BANKA E SHQIPËRISË
Departamenti i Mbikëqyrjes
Sheshi "Skënderbej", Nr.1
Tiranë

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".