BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e aksionerit të Bankës Italo Shqiptare

Data e publikimit: 23.03.2007

 

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur nga Banka Italo Shqiptare sh.a., Tiranë, kërkesa për miratimin e transferimit të pjesëmarrjes aksionere prej 76.129 për qind të kapitalit të kësaj banke në favor të Intesa Sanpaolo S.p.A., shoqëri italiane. Kërkesa është mbështetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr. 71, datë 11.09.2002, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Ky ndryshim në aksionerin e Bankës Italo Shqiptare bëhet si rezultat i bashkimit me përthithje të Bankës SanPaolo IMI S.p.A. nga Banka Intesa S.p.A. dhe krijimit të shoqërisë Intesa Sanpaolo. Bashkimi i tyre është bërë mbi bazën e një akti bashkimi, i cili është nënshkruar nga të dy përfaqësuesit ligjorë respektivë dhe është miratuar nga Banca d'Italia.

Në rast të miratimit të këtij ndryshimi të aksionerit nga Banka e Shqipërisë, shoqëria Intesa Sanpaolo do të zotërojë 76.129 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italo Shqiptare dhe struktura e aksionerëve të Bankës Italo Shqiptare, pas miratimit të këtij transferimi të pronësisë do të jetë:

  • Intesa Sanpaolo S.p.A. do të zotërojë 76.129 për qind të kapitalit aksioner të BISH;
  • BERZH do të zotërojë 20 për qind të kapitalit aksioner të BISH, dhe
  • SIMEST do të zotërojë 3.871 për qind të kapitalit aksioner të BISH.

Shoqëria Intesa Sanpaolo S.p.A. është shoqëri e krijuar nga ligjet e Republikës Italiane, me selinë ligjore në Piazza San Carlo, nr. 156, Torino, Itali dhe selinë tjetër në Milano, të regjistruar në regjistrin e kompanive të Torinos dhe në autoritetet fiskale, me NIPT dhe kodin përkatës fiskal. Shoqëria Intesa Sanpaolo S.p.A. ka si objekt të veprimtarisë së saj grumbullimin e kursimeve dhe ushtrimin e aktivitetit të kredive në forma të ndryshme, drejtpërdrejt si dhe nëpërmjet shoqërive të kontrolluara.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".