BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e aksionerit të Bankës Popullore

Data e publikimit: 02.07.2007

 

Në Bankën e Shqipërisë është paraqitur nga Banka Popullore sh.a. kërkesa për miratimin e transferimit të pronësisë së 75 për qind plus 1 aksion të kapitalit aksioner të Bankës Popullore sh.a., nga aksionerët e Bankës Popullore sh.a., tek Banka Société Générale S.A, Francë. Kërkesa është mbështetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendim nr. 71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Asambleja e aksionerëve të Bankës Popullore mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm në datë 12 mars 2007, me prezencën e 32 aksionerëve të saj, ka miratuar shitjen e pjesëmarrjes kontrolluese prej 75.006% të aksioneve të saj tek Banka Société Générale s.a., Francë.

Shoqëria Société Générale s.a. është një shoqëri anonime e themeluar në vitin 1864 sipas ligjeve të Republikës Franceze dhe vepron me statutin e një banke. Selia e shoqërisë është në 29, Boulevard Haussmann, 75009 Paris, Francë. Sipas statutit dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme për institucionet e kreditit, Société Générale është e autorizuar të ushtrojë veprimtari bankare, shërbime të investimit, si dhe të veprojë si agjent në fushën e sigurimit.

Banka Société Générale s.a. blerës i pjesës prej 75.006 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Popullore është shoqëria kryesore e Grupit Société Générale, me seli në Paris, Francë.

Në rast të miratimit nga Banka e Shqipërisë të këtij transferimi, struktura e aksionerëve të Bankës Popullore do të jetë:

  • Banka Société Générale do të zotërojë 75 për qind plus 1 aksion të kapitalit aksioner të Bankës Popullore;
  • Aksionerët e Bankës Popullore do të zotërojë 24.99 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Popullore.

Banka e Shqipërisë është e interesuar të dijë opinionin dhe do të marrë në konsideratë çdo koment për këtë kërkesë. Komentet me shkrim mund të adresohen në:

Banka e Shqipërisë
Departamenti i Mbikëqyrjes
Sektori i Licencimit, Rregullimit dhe Standardeve
Sheshi "Skënderbej", Nr. 1, Tiranë

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".