BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi kërkesën për ndryshimin e strukturës së aksioneve të Bankës ProCredit sh.a.

Data e publikimit: 11.01.2008

 

Pranë Bankës së Shqipërisë është paraqitur kërkesa për miratimin e shitjes së aksioneve të Bankës ProCredit sh.a. nga aksionerët International Finance Corporation (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore (në cilësinë e shitësit) dhe Fondacioni FEFAD, Shqipëri (në cilësinë e shitësit) tek aksioneri ProCredit Holding AG, Gjermani (në cilësinë e blerësit). Ky transaksion konsiston në shitblerje të aksioneve të bankës në masën 36.25 përqind, midis aksionerëve ekzistues të saj. Si pasojë e këtij transaksioni struktura e aksioneve të bankës ndryshon si më poshtë:

 

ISHTE

BEHET

Aksioneri

Numri i aksioneve

Pjesëmarrja në përqindje

Numri i aksioneve

Pjesëmarrja në përqindje

ProCredit Holding A.G.

70,000

43.75

128,000

80.00

Fondacioni për Financimin dhe Zhvillimin e Nd/jeve (FEFAD)

40,000

25.00

-

-

Commerzbank A.G.

32,000

20.00

32,000

20.00

IFC

18,000

11.25

-

-

T O T A L I

160,000

100.00

160,000

100.00


Struktura e aksionerëve të Bankës Procredit ka ndryshuar në vite, që prej themelimit dhe fillimit të aktivitetit deri tani dhe ProCredit Holding AG e ka rritur vazhdimisht pjesëmarrjen në kapitalin aksioner të bankës gjatë viteve.

Shqyrtimi i kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues për shitjen e aksioneve të International Finance Corporation (IFC) dhe Fondacionit FEFAD dhe blerjen e aksioneve nga ProCredit Holding A.G. si aksioner ekzistues i Bankës ProCredit sh.a. u bë në mbështetje të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", miratuar me vendimin nr. 71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

ProCredit Holding AG është themeluar në vitin 1998. Kjo është shoqëri aksionere dhe adresa e saj është në Frankfurt am Main, Gjermani. Objekti i veprimtarisë së shoqërisë është të marrë pjesë me pjesëmarrje kapitali në institucione financiare të cilat u shërbejnë nevojave financiare të sipërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe mesatare si dhe popullsisë në përgjithësi në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në transformim. Qëllimi i shoqërisë konsiston në blerjen e shumicës së aksioneve/pjesëmarrjeve në secilin institucion dhe në mbështetjen dhe drejtimin e të gjitha institucioneve tek të cilat investon si grup.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".