BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi leksionin e mbajtur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të qytetit të Elbasanit

Data e publikimit: 05.02.2008

 

Në vijim të takimeve të tij me akademikë dhe studentë të universiteteve të vendit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajti sot një leksion në mjediset e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" të qytetit të Elbasanit. Të pranishëm në leksion ishin pedagogë dhe studentë të këtij Universiteti, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe të mediave lokale.

guvernatori ne takimin 3

guvernatori ne takimin 3

Në leksionin e tij, z. Fullani bëri një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve kryesore në ekonominë shqiptare, duke vënë theksin në rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend dhe krijimit të kushteve të favorshme për një rritje ekonomike të shpejtë nëpërmjet sigurimit të normave të ulëta dhe të qëndrueshme të inflacionit. Në të njëjtën kohë, z. Fullani u ndal në zhvillimet pozitive të vërejtura në sistemin bankar në vend gjatë viteve të fundit, si dhe në angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndoshë të këtij sistemi edhe në vitet në vijim.

Gjatë leksionit, z. Fullani trajtoi çështjen e konvergjencës, domosdoshmërinë për të ndërmarrë reforma të thella dhe të vazhdueshme strukturore. Këto të fundit, mbeten të një rëndësie të veçantë veçanërisht në drejtim të materializimit të një konvergjence reale.

Në vijim të leksionit, z. Fullani u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik dhe financiar të publikut për pasjen e qytetarëve të aftë për të kuptuar parimet bazë të funksionimit të ekonomisë dhe fushën e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë, si dhe për mundësimin e përfitimit të publikut nga shërbimet dhe produktet e sistemit bankar. Z. Fullani bëri të ditur se në kuadër të intensifikimit të përpjekjeve të saj në fushën e edukimit, Banka e Shqipërisë ka ideuar edhe organizimin e një dite të veçantë me biseda, prezantime, veprimtari apo vizita të organizuara në institucion nga grupe nxënësish e studentësh.

Në përfundim, z. Fullani u shpreh rreth rëndësisë së të paturit një komunikim të vazhdueshëm me aktorët dhe grupet e interesit në të gjitha rajonet kryesore të vendit, gjë që do të ofronte një panoramë më të përgjithshme rreth zhvillimeve ekonomike në këto rajone, si dhe do të ndihmonte Bankën e Shqipërisë në vendimmarrjen e saj.