BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi leksionin e mbajtur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në Universitetin e Bocconit në Itali me temë "Konvergimi i ekonomive dhe i institucioneve të Evropës Juglindore drejt BE-së: Pikëpamja e Shqipërisë"

Data e publikimit: 11.10.2007

 


Në datën 10 tetor 2007, me ftesë të Universitetit të Bocconit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, mbajti një leksion në këtë Universitet me temë "Konvergimi i ekonomive dhe i institucioneve të Evropës Juglindore drejt BE-së: Pikëpamja e Shqipërisë".

Leksioni u ndoq nga lektorë të këtij Universiteti, studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë këtij universiteti, si dhe nga biznesmenë vendas.

Në leksionin e tij, z. Fullani u ndal në zhvillimet ekonomike, që kanë karakterizuar vendin tonë gjatë viteve të fundit. Ndër të tjera, ai veçoi stabilitetin makroekonomik të vendit, i cili pasqyrohet në një rritje vjetore rreth nivelit 6 për qind, në rritje të të ardhurave për frymë, në mbajtjen e inflacionit brenda nivelit 2 - 4 për qind, në konsolidimin e deficitit fiskal, si dhe në stabilitetin e monedhës sonë kombëtare.

Foto - Guvernatori ne Universitetin e Bocconit

Në vijim të leksionit, Guvernatori përmendi hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në arritjen e objektivave të saj. Duke qenë një institucion i pavarur, transparent dhe i përgjegjshëm, Banka e Shqipërisë gjithnjë e më tepër po i kushton vëmendje komunikimit me publikun në lidhje me vendimmarrjen e saj, me qëllim ankorimin e pritshmërive për zhvillimet e ardhshme të inflacionit. Ai u shpreh se: "Mënyra e komunikimit të Bankës së Shqipërisë ka përmirësuar më tej përgjegjshmërinë tonë dhe ka çuar në rritjen e besueshmërisë dhe të autoritetit përpara publikut shqiptar. Gjatë 2-3 viteve të fundit, ne kemi rritur rolin tonë në programet ekonomike dhe financiare afatshkurtra dhe afatmesme. Që nga fillimi i periudhës së tranzicionit, programi ekonomik është hartuar dhe zbatuar me mbështetjen e programeve të FMN-së. Programi aktual do të përfundojë në vitin 2008. Duke filluar nga viti 2009, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera shqiptare do të marrin tërësisht pronësinë e hartimit dhe të zbatimit të politikave financiare dhe monetare."

Një çështje tjetër ku u ndal z. Fullani është dhe zhvillimi i sistemit financiar të rajonit, karakteristikat e përbashkëta si dhe sfidat me të cilat ai përballet. Ai u shpreh se sistemi financiar i rajonit ka njohur zhvillime të konsiderueshme këto vitet e fundit dhe ai është një nga promotorët e konvergimit të rajonit drejt standardeve të BE-së. "Një rajon i zhvilluar dhe financiarisht i integruar do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj strategjikë, duke hapur rrugën drejt projekteve të zhvillimit rajonal, veçanërisht të atyre që lidhen me infrastrukturën, me tregun e punës dhe me pronat e patundshme, ku bankat e rajonit mund të jenë financuese dhe bashkëfinancuese." Krijimi i një infrastrukture financiare rajonale do të lehtësonte procesin e integrimit rajonal e më gjerë.

"Nëse do të më kërkonin që të përkufizoja me fjalë të thjeshta mënyrën se si e kuptoj unë procesin e konvergimit, përgjigja ime do të ishte shumë e thjeshtë: Konvergim do të thotë tërësia e standardeve, që lidhen me kriteret e ecurisë dhe me reformat strukturore. Kjo do të thotë, se çdo vend duhet të zbatojë standardet që rrjedhin nga Acquis Communautaire dhe nga kode të ndryshme ndërkombëtare (Bazel II). Ato gjithashtu, duhet të hedhin hapa të shpejtë në drejtim të përmirësimit të ekonomisë, të shoqërisë, të kulturës dhe të mjedisit. Mendoj se kjo, përbën një domosdoshmëri për nxitjen e eficiencës së tregut financiar në mbarë rajonin."

Në vazhdim, z. Fullani bëri një përmbledhje të rreziqeve, me të cilat përballet aktualisht sistemi financiar i rajonit. Prania e këtyre rreziqeve e bën stabilitetin financiar një domosdoshmëri. Për këtë qëllim, për të promovuar forcat e tregut dhe risitë financiare, është e nevojshme që të adoptohen politika ekonomike dhe mbikëqyrëse të përshtatshme, për të gjetur një ekuilibër optimal ndërmjet liberalizimit dhe pasojave negative të krizave të mundshme financiare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se mbarë rajoni ndodhet në një proces konsolidimi politik, ekonomik dhe shoqëror, proces i cili si prioritet të tij ka anëtarësimin në BE në vitet në vijim. Ai e mbylli leksionin e tij duke u shprehur se: "Të gjithë ne e kuptojmë nevojën për reforma, për rritje më të lartë ekonomike, për stabilitet makroekonomik dhe për bashkëpunim rajonal midis vendeve të ndryshme të rajonit."

Në përfundim të leksionit të tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim me studentë shqiptarë që studiojnë në këtë universitet, duke i njohur ata nga afër me politikat ambicioze të Bankës së Shqipërisë, për thithjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në shkollat prestigjioze, siç është edhe Universiteti i Bocconit.

Gjatë qëndrimit në Universitetin e Bocconit, Guvernatori Fullani u takua gjithashtu me rektorin e këtij institucioni, Profesor Angelo Provasoli, me të cilin u diskutua mjaft mbi mundësitë ekzistuese për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në fushën kërkimore dhe atë studimore. Në përfundim, z. Fullani e ftoi Profesor Provasoli, për një vizitë në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.

Universiteti i Bocconit është një nga universitetet më të njohura kërkimore në botë në fushën e ekonomisë, të biznesit dhe të ligjit. Ai u themelua në vitit 1902 dhe renditet në 20 universitetet më të mira në botë.

Për hollësi të mëtejshme të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë leksionin të plotë në adresën www.bankofalbania.org.