BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 3 dhjetor 2012

Data e publikimit: 18.12.2012

 

Në datën 03.12.2012, në Ministrinë e Financave u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Mbledhja u kryesua nga Ministri i Financave dhe në të morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, drejtues të tjerë dhe eksperte të këtyre institucioneve.

Sipas programit të mbledhjes, GKSF diskutoi fillimisht mbi ecurinë e kreditimit në sektorin bankar. Theksi u vendos tek gjendja e cilësisë së kredisë, e cila ka vijuar të dobësohet. Përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë evidentuan shkaqet për përkeqësimin e cilësisë së kredisë si dhe ndikimin e tij në rezultatin e veprimtarisë së sektorit bankar dhe të ekonomisë reale. Ngadalësimi i konsumit dhe i investimeve publike e private ka sjellë rënien e kërkesës për kredi, dhe ngadalësimi i theksuar i rritjes ekonomike ka ndikuar në rënien e aftësisë paguese të kredimarrësve. Nga komunikimi me industrinë bankare, janë evidentuar disa masa të cilat do të përmirësonin aftësinë e sektorit bankar për të kapërcyer gradualisht këtë situatë. Shumë nga këto masa janë të natyrës ligjore dhe synojnë të përmirësojnë eficiencën e procesit të ekzekutimit të kolateralit nëpërmjet vendosjes së stimujve më të përshtatshëm për të gjitha palët e përfshira në proces. Këto masa kërkojnë kryesisht ndryshim të Kodit të Procedurës Civile dhe ato i janë komunikuar më parë Ministrisë së Drejtësisë si propozime për ndryshim. Pjesëmarrësit në takim theksuan nevojën për veprimin në mënyrë të harmonizuar nga autoritetet publike në adresimin e këtij problemi. Ata mbështetën në tërësi masa e propozuara dhe theksuan nevojën që të kontaktohet me Ministrinë e Drejtësisë për t’u njohur me statusin e këtyre propozimeve në kuadër të punës që po kryhet nga ky institucion për ndryshimin e Kodit të Procedurës Civile. Më tej, pjesëmarrësit në takim vlerësuan se shlyerja e detyrimeve të sektorit publik ndaj kompanive private do të përfaqësonte një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e situatës së tyre financiare dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj sektorit bankar.

Ndryshimi i ligjit “Për sigurimin e depozitave” në muajin korrik të këtij viti synonte  fuqizimin e kapaciteteve financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe, në këtë kuadër, kërkonte përcaktimin e procedurave konkrete për mënyrën e bashkëpunimit mes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, titullarët e këtyre institucioneve nënshkruan një marrëveshje gjatë këtij takimi.

Në vijim, përfaqësuesit e institucioneve diskutuan për situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar. Duke u ndalur më gjatë në shpërndarjen e likuiditetit dhe në financimin e nevojave të Qeverisë, GKSF vlerësoi se vëllimi dhe struktura kohore e kërkesave për huamarrje duhet të reflektojnë në mënyrë të përshtatshme situatën e likuiditetit në tregun ndërbankar. Në një kuadër më të gjerë, GKSF vlerësoi se pasiguria që ekziston në rritjen ekonomike dhe në zhvillimet ekonomike ndërkombëtare diktojnë nevojën për një kujdes më të madh në planifikimin e realizimit të të ardhurave buxhetore dhe në madhësinë e përbërjen e shpenzimeve publike.

Në përfundim, GKSF u njoh me nevojën për një ndryshim në përbërjen e Sekretariatit, duke e mbështetur atë.  GKSF planifikoi që mbledhja e ardhshme të zhvillohet jo më vonë se muaji mars i vitit 2013.