BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 11 shkurt 2004

Data e publikimit: 11.02.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 11 shkurt 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Vendimin "Për paisjen me licensë për të ushtruar veprimtari bankare "Bankës Popullore", sh.a.

Këshilli Mbikëqyrës, mbështetur në konkluzionet e Departamentit të Mbikëqyrjes, pasi plotësohen të gjitha kushtet që kërkon ligji nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", mori vendimin të pajisë me licencë për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, "Bankën Popullore" sh.a,.

Ky subjekt ka marrë miratimin paraprak të licencës për të kryer aktivitet bankar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 71, datë 27. 08. 2003. Gjatë kësaj periudhe banka në formim ka kryer procedurat juridike të rregjistrimit të shoqërisë, ka derdhur kapitalin fillestar, ka emëruar administratorët e saj si dhe ka përgatitur kushtet teknike për zhvillimin e aktivitetit bankar.

Kjo licencë i shton një bankë të re sistemit bankar shqiptar duke e çuar në 16 numrin e bankave operuese në Shqipëri. Mbështetur në dokumetacionin e paraqitur, Banka Popullore Sh.a. ka aksionerë themelues:

Nr. Emri i aksionerit

1 Ardian Avdalli
2 Arti Elezaj
3 Arben Meçaj
4 Artur Pojani
5 Alban Xhaferi
6 Dritan Çelaj
7 Guxim Resuli
8 Ibrahim Aksoy
9 Koço Kokëdhima
10 Lefter Sota|
11 Llazar Angjeli
12 Shyqyri Duraku
13 Shpëtim Prodani
14 Vasil Naçi
15 Xhevat Rira
16 Zenel Tafaj
17 AL DUR INVEST sh.p.k.
18 ARTI sh.a.
19 BNT Elektronics sh.p.k.
20 Lani sh.p.k.
21 Reald sh.p.k.
22 Tirana International Development sh.p.k.

dhe drejtues kryesorë ekzekutivë:
1. Edvin Libohova Drejtor i përgjithshëm
2. Bledar Elezi Zv. Drejtor i përgjithshëm dhe drejtor operacional

Selia e Bankës Popullore sh.a. është në Tiranë, në adresën rruga "Donika Kastrioti" ("Abdyl Frashëri"), Pall. 11/1, Kati i parë.

Veprimtaritë e lejueshme për këtë bankë janë:

a) të pranojë dhe të grumbullojë depozita bankare;
b) të japë kredi;
c) të marrë hua mjete financiare dhe të blejë ose të shesë për llogari të saj apo për llogari të klientëve:

i) instrumente të tregut të parave;
ii) letrat me vlerë të borxhit;
iii) kontrata të së ardhmes (futures) dhe kontrata me kusht (option), që lidhen me letrat me vlerë të borxhit ose me normat e interesit; ose
iv) instrumentet e normës së interesit;

ç) të ofrojë shërbimin e pagesave dhe të arkëtimeve;
d) të emetojë, të pranojë dhe të administrojë mjete të pagesave;
dh) të ndërmjetësojë për transaksionet monetare (duke përfshirë valutat);
e) të ushtrojë qiranë financiare;
ë) të ofrojë shërbimin e kasave të sigurimit;
f) të ofrojë garanci bankare dhe garanci të tjera;
g) të shërbejë si agjente ose këshilltare financiare (këtu nuk përfshihen shërbimet e parashikuara në pikën 3/a dhe 3/b të këtij neni).

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës u njoh edhe me:


2. Informacionin: "Mbi hapat që do të ndërmarrë Banka e Shqipërisë për të rritur pikët në vlerësimet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për treguesit për reformat në sektorin financiar".

Në Raportin e Tranzicionit për vitin 2003, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka bërë vlerësimin për Shqipërinë duke theksuar që në fillim se sfidat kryesore lidhur me reformat në Shqipëri për vitin 2003 ishin:

- Zbatimi i planit të veprimit të qeverisë për përmirësimin e ambjentit të biznesit, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar zbatimin e ligjit, janë pikat kryesore për zhvillimin e sektorit privat dhe investimet e huaja.

- Përshpejtimi i reformës në sektorin e energjisë, duke përfshirë liberalizimin e mëtejshëm të tarifave dhe privatizimin, janë pikat më të rëndësishme për zgjidhjen e krizës energjitike.

- Pozicioni dominant i bankës së vetme që ka mbetur pronë shtetërore vazhdon të kufizojë konkurrencën në sektorin bankar. Përfundimi i privatizimit do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve bankare.

BERZH, duke përdorur një sistem pikësimi me nivel minimal pikësh 1 dhe nivel maksimal 4+ llogarit çdo vit progresin e 27 vendeve në tranzicion në procesin e ndërtimit të ekonomisë së tregut. Arritja e nivelit maksimal presupozon funksionimin në bazë të parimeve të ekonomisë së tregut të një ekonomie të hapur me botën dhe që ka një nivel zhvillimi të krahasueshëm me vendet më të përparuara të botës.

Pikët e dhëna mbi progresin e tranzicionit në vitin 2003 janë:

1. Vlerësimi i BERZH për pjesën e sektorit privat në Produktin e Brendshëm Bruto në mes të vitit 2002 është se ky sektor zë 75 për qind të saj;

2. klasifikimi për ndërmarrjet vlerëson me (2+) privatizimin e madh; (4) privatizimin e vogël; (2) drejtimin e ndërmarrjeve (governance) dhe ristrukturimin e tyre;

3. klasifikimi për tregjet dhe tregëtinë vlerëson me (4-) liberalizimin e çmimeve; (4+) tregëtinë dhe sistemin e kursit të këmbimit; (2-) politikën e konkurrencës;

4. klasifikimi për institucionet financiare vlerëson me (2+) reformën bankare dhe liberalizimin e normës së interesit; (2-) tregjet e letrave me vlerë dhe dhe institucionet financiare jobankare; dhe

5. infrastruktura vlerësohet me (2).

Banka e Shqipërisë në bashkëveprim me institucione të tjera qendrore nëpërmjet realizimit të reformave dhe të detyrave respektive ndikojnë, në vlerësimin e përgjithshëm të shprehur me pikësimet e Raportit të Tranzicionit.

Kështu, detyrat e programuara ndikojnë kryesisht në vlerësimet e BERZH për reformën bankare, liberalizimin e normës së interesit, tregun e letrave me vlerë dhe institucionet jobankare, gjë që i jep një prioritet të dukshëm aktivitetit të mbikëqyrjes bankare. Aktivitetet më kryeore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2003 paraqiten më poshtë:

- është përfunduar hartimin e politikave të licencimit për subjektet bankare;

- është miratuar deklarata e Misionit të Mbikëqyrjes për vitin 2003 dhe është rikoncepruar e miratuar edhe për vitin 2004;

- është punuar për rishikimin e ligjit "mbi bankat në Shqipëri";

- është bashkëpunuar me Ministrinë e Financave për ndryshimet në ligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave" i cili është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke reflektuar ndryshime në aktet nënligjore që miraton BSH për bankat e nivelit të dytë;

- janë zhvilluar aktivitete njohëse për nivelet teknike të Akordit të Ri të Bazelit, të cilat do të shërbejnë për t'u reflektuar në të ardhmen në rregulloret e mbikqyrjes;

- janë rishikuar dhe ripunuar rregullat për mbikëqyrjen e kujdesshme duke marrë parasysh standartet ndërkombëtare.

Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për sistemet e ndryshme që realizojnë kalimin elektronik të të dhënave dhe pagesave që në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare të ulet përdorimi i cash-it në ekonomi dhe të rritet efektiviteti i sistemit bankar. Është realizuar zbatimi i plotë të sistemit ATM që në vitin 2002 dhe janë bërë përmirësime apo përshtatje të mëtejshme gjatë vitit 2003, duke konsideruar që zhvillimi i këtij sistemi do të vazhdojë. Ndërkohë, gjatë vitit 2003 është njoftuar zyrtarisht fillimi i zbatimit të projektit RTGS dhe pritet që periudha e përfundimit të tij të jetë muaji janar i vitit 2004.

Banka e Shqipërisë, gjithashtu, ka punuar gjatë vitit 2003 për rivlerësimin e përputhjes së kontabilitetit të Bankës së Shqipërisë me Standartet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK). Në përgjithësi kontabiliteti i Bankës së Shqipërisë është i përputhur me SNK në teknikat e kontabilizimit dhe raportimit të të dhënave. Mirëpo ka disa devijime që lidhen me standartet:

- mbi pasqyrat financiare të konsoliduara dhe kontabilitetin për investimet në filialet,
- ktivet fikse (rivlerësimi i tokës dhe ndërtesave);
- rivlerësimi i letrave me vlerë;
- amortizimi i mjeteve dhe pajisjeve;
- rregjistrimi i granteve;
- diferencat dhe riverësimi i aktiveve në valutë.

Po kështu, është punuar që gjatë vitit 2003 të vazhdojë aplikimi i standarteve ndërkombëtare të kontrollit. Kështu: vazhdimisht është programuar dhe realizuar rivlerësimi i riskut të kontrollit për të gjitha funksionet e bankës; po punohet për të instaluar programet bashkëkohore të auditit; është krijuar një historik i vlerësimit të riskut të funksioneve sipas kontrolleve të kryera e cila shërben si bazë për planifikimet vjetore të tyre; janë dërguar vazhdimisht në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë raportet periodike të kontrollit; është anëtarësuar në I. I. A.

3. Informacionin "Mbi ecurinë e tregjeve ndërkombëtare të instrumentave financiarë".

SHBA

Të dhënat e fundit ekonomike konfirmojnë pamjen e krijuar muajt e fundit se rritja ekonomike është e qëndrueshme. Shpenzimet konsumatore kanë qenë të kënaqshme, aktiviteti prodhues është në nivelet më të larta të viteve të fundit si dhe sektori i shërbimeve po shënon rritje. Por ndërkohë inflacioni vazhdon të mbetet i ulet dhe tregu i punës po përmirësohet në mënyrë të ngadalshme. Përmirësimi i tregut të punës duket se po vjen nga ndalimi i pushimeve nga puna, por jo nga marrjet e reja në punë. Funksionarët e Fed-it vazhdojnë të përserisin shprehjen e tyre tashmë të vjeter se do të mbajnë për një kohë të gjatë të pandryshuar normën e interesit, çka i ka dhënë mbështetje emetimeve të thesarit. Pritet që emetimet e thesarit do te vazhdojnë të kenë mbështetje nga Fed-i dhe blerjet e Bankave Qendrore aziatike, por të dhënat e mira ekonomike do të ushtrojnë presion mbi to dhe do të shkaktojnë një rënie të çmimeve të tyre.

EUROPE

Gjatë muajit të kaluar të dhënat ekonomike të publikuara kanë treguar një pamje mikse; treguesit e pritjeve frenuan rritjen e vënë re që prej mesit të vitit të kaluar, bizneset po shfaqin përmiresime të kapaciteteve prodhuese, ndërsa kërkesa e brëndshme mbetet ende e brishte. Megjithëse ekonomia evropiane ka shfaqur një rritje graduale gjatë tremujorit të katërt, dhe pritet të mbajë këtë ritëm rritje dhe në tremujorin e ardhshëm, shumë pikëpyetje po ngrihen mbi ndikimin e euro-s në këtë rritje. Emetimet evropiane të thesarit pas rritjes së fortë mujore të euro-s si dhe shifrës së dobët të punësimit siguruan një mbështetje të fortë sidomos ato afatshkurta duke reduktuar një pjesë të rëndësishme të pritjeve për rritje të normave të interesit. Ne mendojmë që shqetësimet mbi euron do të vazhdojnë të ushtrojnë mbështetje emetimeve evropiane të thesarit duke reduktuar mundësitë për rritje të interesave brënda vitit 2004.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës u diskutuan edhe projekte dhe informacione lidhur me çështje të organizimit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë.