BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave TRIBID/TRIBOR

Data e publikimit: 09.01.2024

 

Në datën 2 gusht 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave TRIBID/TRIBOR, nga data 1.8.2024. Ky vendim mbështetet në faktin se këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.

Ndryshimi i miratuar do të sjellë efekte mbi kontratat aktuale të kredive, të cilat janë nënshkruar duke e bazuar llogaritjen e normës së interesit në normën TRIBOR. Norma e interesit të kontratës së kredisë është një ndër kushtet thelbësore të kontratës, të dakordësuara në marrëdhënien kontraktuale dhe në rast ndryshimi të saj, nevojitet miratimi i palëve.

Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, bankat tregtare kanë filluar njoftimin e klientëve të tyre, të cilët preken nga ky ndryshim për kontratat ekzistuese të kredive, të çmuara me normën TRIBOR.

Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që vijnë nga bankat tregtare për ndryshimet në kontratën e tyre të kredisë, veçanërisht nëse kjo e fundit është vlerësuar me normën e interesit TRIBOR.

Për çdo rast, i inkurajojmë qytetarët të lexojnë me vëmendje kontratën e kredisë për të vlerësuar nëse preken nga ky ndryshim ose t’i drejtohen bankës së tyre tregtare për të marrë më shumë informacion, nëse është i nevojshëm zbatimi i ndryshimeve në kontratën e tyre të kredisë, bazuar mbi normën e përdorur.