BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës

Data e publikimit: 17.07.2007

 

Sot në datën 17.07.2007, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun bankar dhe financiar midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës. Memorandumi u nënshkrua nga z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe zj. Lindita Milo (Lati), Kryetare e Autoritetit të

Formalizimi i bashkëpunimit midis dy institucioneve nëpërmjet realizimit të këtij memorandumi, është i nevojshëm në kushtet kur zhvillimet e shpejta në sektorin bankar dhe financiar po nxiten si rezultat i vendosjes së këtyre zhvillimeve në një mjedis të ri konkurrencial, të kushtëzuar nga integrimi i ekonomisë në tregjet rajonale dhe evropiane si dhe nga hyrja e investimeve të fuqishme në sektorin financiar.

Memorandumi i krijon të dy institucioneve, hapësirën e nevojshme që brenda kuadrit ligjor dhe rregullativ të rrisin bashkëpunimin e tyre të ndërsjelltë, duke shkëmbyer informacion dhe ekspertizë për të përmirësuar situatën aktuale në tregun bankar dhe financiar lidhur me shkallën e konkurrencës, si dhe për të shmangur rastet e kufizimit, të pengimit dhe të deformimit të konkurrencës në këtë treg.

Më konkretisht, nëpërmjet bashkëpunimit, palët do të synojnë marrjen e masave për të evidentuar dhe ndaluar kufizimet horizontale të konkurrencës (realizimin e marrëveshjeve për çmimet e shërbimeve, normat e interesit, territorin e tregjeve etj.), kufizimet vertikale të konkurrencës (diskriminimin nëpërmjet normave të interesit për klientë të ndryshëm në të njëjtin treg, diskriminimin nëpërmjet kufizimeve dhe kërkesave specifike për garanci e kushte të tjera për klientë me kushte të njëjta, në një treg të ngjashëm etj.) si edhe për të shmangur abuzimin e mundshëm me pozitën dominuese në treg të një ose disa bankave.

Pas nënshkrimit të memorandumit të dy titullarët ndanë të njëjtin mendim se ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të integrimit evropian, ku konkurrenca edhe në sektorin bankar ka një rëndësi të veçantë për një sistem financiar sa më të shëndetshëm dhe me përfitime më të ndjeshme për klientët dhe publikun, në përgjithësi.

Banka e Shqipërisë vlerëson nënshkrimin e këtij memorandumi si një hap mjaft të rëndësishëm që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të konkurrencës reale, në të cilat zhvillohet veprimtaria bankare dhe ajo financiare aktualisht. Është e rëndësishme të theksohet se konkurrenca e ndershme nxit rritjen e eficiencës në veprimtarinë bankare dhe përsos përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të tregut bankar. Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale që bashkëpunimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje të jetë sa më konkret dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në arritjen e një konkurrence reale, të ndershme dhe eficiente në këtë treg.

Ky memorandum hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga palët përkatëse.