BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike

Data e publikimit: 19.06.2023

 

Në datën 19 qershor 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Bankës së Shqipërisë, lidhur me zbatimin e fazës së tretë të programit të asistencës dypalëshe për zhvillimin e kapaciteteve për bankat qendrore për vitet 2023 – 2028.

Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, SH.S.Zj. Ruth Huber.

 DSC6973 498

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko e cilësoi këtë memorandum si një fazë të re bashkëpunimi të rëndësishëm mes Bankës së Shqipërisë dhe Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe si një tjetër hap drejt përmirësimit të politikave monetare dhe financiare në vendin tonë, për të forcuar më tej ekonominë dhe sistemin financiar të Shqipërisë.

 DSC7083 498

Guvernatori shtoi se kjo fazë e programit fokusohet drejt sfidave të reja makroekonomike e financiare që përcaktohen nga kushtet specifike gjeopolitike, nga zhvillimet e shpejta në digjitalizim dhe inovacionin financiar. Këto risi sfidojnë në mënyrë domethënëse si autoritetet, ashtu edhe shoqërinë që duhet t’i njohë, t’i kuptojë e t’i përdorë këto instrumente, por njëkohësisht edhe të mbrohet nga rreziqet që vijnë me zhvillimin e shpejtë e të vrullshëm të teknologjisë.

 DSC7214 498

“Në këtë kuadër, bashkëpunimi me SECO-n dhe Programi i Asistencës Bilaterale dhe Ngritjes së Kapaciteteve është një garanci se do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi me sukses sfidave që na presin, duke kontribuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe të ekonomisë së Shqipërisë në mënyrë të qëndrueshme, pa cenuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.” – theksoi Guvernatori.

 DSC7252 498

Në vijim, ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit të palëve të treta, duke e vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar si jetik në kohën aktuale, kur sfidat dhe ndikimet janë globale. “Vetëm duke punuar së bashku dhe duke ndarë përvojat dhe ekspertizën, mund të arrijmë qëllimet tona dhe të sjellim përparim në vendin tonë.”- tha Guvernatori.

 DSC7163 498

Në përfundim, Guvernatori falënderoi SECO-n, Qeverinë Zvicerane, Ambasadën e Zvicrës në Tiranë, dhe të gjithë ekipin e punës për hartimin e kësaj marrëveshjeje, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke shprehur bindjen se kjo fazë e re do të sjellë rezultate mjaft të mira dhe do të forcojë kontributin në zhvillimin e vendit.

Nga ana e saj, Ambasadorja Huber shprehu vlerësimet e saj për këtë bashkëpunim dhe  shprehu angazhimin e Qeverisë Zvicerane për të vazhduar ofrimin e asistencës teknike dhe mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme.

 DSC7342 498

Më tej, Ambasadorja përgëzoi Bankën e Shqipërisë për partneritetin mjaft të mirë të krijuar dhe për rolin e saj si një institucion efektiv dhe i pavarur në Shqipëri në garantimin e stabilitetit financiar të vendit.

 DSC7364 498

Ajo u shpreh se Banka e Shqipërisë është një aktor kyç në sigurimin e balancave makroekonomike të cilat janë parakusht për shëndetin financiar të vendit, investimet e huaja dhe për zhvillimin ekonomik. Roli i bankës del edhe më tepër në pah kur kemi parasysh numrin e goditjeve të viteve të fundit që kërkojnë rezistencë dhe vendimmarrje të prehtë sidomos përsa i përket administrimit të inflacionit dhe borxhit.Ambasadorja Huber shtoi se formulimet e politikës monetare mbeten një funksion i rëndësishëm i Bankës dhe për rrjedhojë janë pjesë e këtij projekti.

Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike është qendra e ekspertizës së qeverisë federale të Zvicrës, e cila shqyrton të gjitha çështjet kryesore që lidhen me politikat ekonomike dhe ato të tregut të punës. Qëllimi i tij është mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, rritjes së punësimit dhe kushteve të drejta të punës, përmes krijimit të kornizës së nevojshme rregullatore, ekonomike dhe të politikës së jashtme. Që prej vitit 1992, SECO, bazuar në kërkesat në rritje për asistencë teknike në fushën e bankingut qendror, ka mbështetur bankat qendrore të vendeve partnere, nëpërmjet një bashkëpunimi strategjik me Institutin e Studimeve për Zhvillime Ndërkombëtare (Graduate Institute of International and Development Studies). Bashkëpunimi me disa banka qendrore konsiston, përgjithësisht, në shërbime të përgjithshme këshilluese dhe aktivitete specifike të përshtatura sipas vendit, në formën e Asistencës Teknike dhe të Programeve të Trajnimit (TATPs).