BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave

Data e publikimit: 10.06.2014

 

Sot në datë 10.06.2014, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), në kuadër të luftës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Genti Gazheli.

Marrëveshja e përbashkët me DPPPP u hartua në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, si dhe në zbatim të rekomandimeve të misionit FSAP të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. 

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është rritja e bashkëpunimit midis dy institucioneve, në kuadër të lehtësimit të shkëmbimit të informacionit, duke synuar forcimin e përqasjes së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Pas nënshkrimit, Guvernatori Fullani dhe z. Gazheli u shprehën se kjo marrëveshje  ka një rëndësi të veçantë dhe vjen si fryt i  bashkëpunimit të suksesshëm midis dy institucioneve. Ajo synon të rrisë rolin mbikëqyrës me qëllim forcimin e sistemit parandalues në vend dhe zvogëlimin e mundësive të përdorimit të sistemit financiar për pastrim parash dhe financim terrorizmi.

Gjithashtu, marrëveshja do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të dy institucioneve nëpërmjet ndërmarrjes së inspektimeve dhe aktiviteteve tё përbashkëta, duke përmirësuar shfrytëzimin e burimeve njerëzore dhe reduktuar njëkohësisht kostot financiare jo vetëm për to, por edhe për vetë subjektet.

Nga ana tjetër, Guvernatori Fullani theksoi rolin e rëndësishëm që luan në zbatimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi me sektorin bankar dhe publikun. “... Duhet të kemi një publik sa më të edukuar, që kupton ligjin dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me bankat, në mënyrë që të zbatohet sa më mirë ligji dhe të arrihen rezultatet e duhura në këtë sfidë”.