BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi organizimin e seminarit "Hyrje e përgjithshme në Vlerësimin e Impaktit Rregullator dhe zbatimi në praktikë i këtij koncepti" në bashkëpunim me Projektin Konvergjencë të Bankës Botërore

Data e publikimit: 01.02.2008

 

Në datat 31 janar-1 shkurt 2008, me mbështetjen e Programit të Konvergjencës së Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë organizoi seminarin me temë "Hyrje e përgjithshme në Vlerësimin e Impaktit Rregullator dhe zbatimi në praktikë i këtij koncepti". Pjesëmarrës në këtë seminar ishin përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministritë e Ekonomisë dhe të Financave, Bursa e Tiranës si dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Organizimi i këtij seminari shënoi edhe fillimin e veprimtarive të projektit SPI Albania - Special Projects Initiatives (Nismat e Projekteve të Veçanta), prezantimi i të cilit u bë më 19 janar 2008 në Bari të Italisë në praninë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Presidentit të Rajonit të Pulias, z. Nichi Vendola, si dhe përfaqësuesve të lartë të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të shoqatave të bankave të vendeve respektive si dhe të përfaqësuesve të Programit të Konvergjencës të Bankës Botërore, i cili edhe mbështet dhe administron zbatimin e projektit SPI Albania.

Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të seminarit, Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, z. Fatos Ibrahimi, u ndal tek natyra e këtij projekti si një partneritet i sektorit publik dhe atij privat, i cili synon përshpejtimin e modernizimit të sistemit financiar në vendin tonë nëpërmjet nxitjes së dialogut dhe të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve rregullatore dhe pjesëmarrësve në treg. Në këtë kuadër, z. Ibrahimi theksoi se Banka e Shqipërisë, në cilësinë e autoritetit licencues, mbikëqyrës dhe rregullator të sistemit bankar në vend, mbetet tërësisht e angazhuar që nëpërmjet vijimit të bashkëpunimit dhe komunikimit të frytshëm e të vazhdueshëm me aktorët e këtij sistemi, të japë kontributin e saj në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, në thelb të të cilit qëndron zhvillimi i aftësive të institucioneve shqiptare për të hartuar akte rregullatore duke marrë në konsideratë parimet dhe praktikat e tregut, në përputhje me përqasjen e Bashkimit Evropian "për një rregullim më të mirë" ("Better regulation" approach).

Në të njëjtën kohë, z. Ibrahimi u shpreh se institucionet shqiptare nuk janë të familjarizuara me instrumentet e Vlerësimit të Impaktit Rregullator dhe në këtë kuadër, zhvillimi i kapaciteteve të nevojshme të autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse në vendin tonë në lidhje me përgatitjen e Vlerësimeve të Impaktit Rregullator për të gjithë projektaktet rregullatore të hartuara paraqet një rëndësi mjaft të madhe. Në përfundim të fjalës së tij, z. Ibrahimi shprehu bindjen se përdorimi i instrumenteve të Vlerësimit të Impaktit Rregullator do të përmirësojë zbatimin në praktikë të dispozitave të akteve rregullatore nëpërmjet përcaktimit të saktë të përfitimeve, të kostove dhe të problemeve potenciale që mund të shoqërojnë implementimin e këtyre dispozitave dhe në të njëjtën kohë, do të rrisë transparencën e politikëbërjes së autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse nëpërmjet sigurimit të një komunikimi të vazhdueshëm me aktorët e sistemit financiar gjatë fazës së hartimit të akteve rregullatore.

Seminari i vazhdoi punimet me prezantimet e bëra nga përfaqësuesit e Programit të Konvergjencës në lidhje me elementet kryesore përbërëse të instrumenteve të Vlerësimit të Impaktit Rregullator.