BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi panelin e dytë të Konferencës "Ekonomia Shqiptare: Arritjet dhe Sfidat e Politikës Ekonomike"

Data e publikimit: 11.09.2003

 

Sot pasdite Konferenca "Ekonomia Shqiptare: Arritjet dhe Sfidat e Politikës Ekonomike", organizuar nga Banka e Shqipërisë, zhvilloi punimet në Panelin e dytë të titulluar "Kanalet potenciale të hyrjes së valutës në Shqipëri dhe orientimi i ekonomisë drejt eksportit".

Në këtë panel u sollën argumente dhe opinione mbi procesin e liberalizimit të llogarisë kapitale në kuadër të procesit të integrimit evropian, qëndrueshmërinë e deficitit korrent, burimet dhe përdorimin e prurjeve në monedhë të huaj, potencialet reale të ekonomisë për rritjen e eksportit dhe ndikimet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë në ekonominë shqiptare

"Liberalizimi i Llogarisë Kapitale - Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?", ishte tema e diskutimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani dhe znj.Diana Shtylla, nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë. Sipas autorëve, "liberalizimi i llogarise kapitale është një ndër proceset që duhet të ndërmarrë Shqipëria në të ardhmen e afërt. Arsyet për nevojën për hapjen e llogarisë së kapitalit lidhen me përfitimet që burojnë nga ky proces, si rritja e lartë ekonomike, mundësitë në rritje për diversifikim, zhvillim financiar, përmbushja e kërkesave të përcaktuara nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me OBT-në dhe BE-në, reduktimin e ekonomisë informale, inflacionin e ulët dhe të qëndrueshëm etj.. Por, sipas Guvernatorit Cani, "liberalizimi i llogarise kapitale kërkon përmbushjen e disa parakushteve të caktuara si: një kuadër makroekonomik i shëndoshë; infrastrukturë e fuqishme institucionale dhe rregullatore, veçanërisht në sektorin financiar dhe regjimin e përshtatshëm të kurseve të këmbimit. Rrjedhimisht theksojmë rëndësinë e ruajtjes dhe përmirësimit të treguesve aktualë makroekonomikë, si rritja e PBB dhe inflacioni, rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të niveleve të borxhit total, vecanërisht borxhit të jashtëm, dhe domosdoshmërinë e menjëhershme për të zhvilluar një strategji gjeneruese të këmbimit valutor që do ta lejojë Shqipërinë të ruajë një gjendje të shëndetshme të bilancit të pagesave". Në fund, Guvernatori paraqiti disa pika, të cilat mbështesin tezën e liberalizimit të llogarisë kapitale në Shqipëri:

(a) Kontrolle fiktive; konstatimi i faktit që kontrollet për flukset dalëse janë kufizuar; mbështetje teorike që kontrollet për flukset dalëse janë më pak efiçente sesa kontrollet për flukset hyrëse të kapitalit;
b) Konstatimi empirik që liberalizimi i llogarisë kapitale nxit rritjen ekonomike në vende veçanërisht në zhvillim;
(c) Perspektiva afatgjatë për t'u integruar më shumë në sistemin financiar ndërkombëtar;
(d) Angazhimi afatshkurtër dhe afatmesëm për të plotësuar kërkesat e BE-së, OBT-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare etj.

Në fjalën e tyre të konceptuar si "Qëndrueshmëria e Deficitit të Llogarisë Korrente", z.Ahmet Mancellari nga Fakulteti Ekonomik dhe z.Selami Xhepa, nga Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, paraqitën një analizë mbi qëndrueshmërinë e deficitit të llogarisë korrente në Shqipëri. Ky deficit i llogarisë korrente ka arritur në një nivel të tillë që kërkon një vëmendje të veçantë. Autorët kanë marrë në shqyrtim një sërë faktorësh që kanë evoluar qëndrueshmërinë e llogarisë korrente. Këto indikatorë në pika të përgjithshme paraqesin një llogari korrente "të brishtë", ndërsa kursi i këmbimit të lekut me valutat e huaja duket se nuk ka ndonjë rol të madh në deficitin aktual të llogarisë korrente. Zgjidhja që propozojnë autorët Mancellari dhe Xhepa është nxitja e një llogaria korrente që do të favorizonte zëvëndësimin e importit me prodhimin vendas ndërkohë që promovimi i eksportit shihet si një zgjidhje afatgjatë.

Sa i përket rolit të të ardhurave nga emigrantët në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, referuan autorët Ilir Gëdeshi nga Qendra për Studime Ekonomike dhe znj.Esmeralda Uruçi nga Banka e Shqipërisë. Ky diskutim mbështetet në një vëzhgim me 1150 emigrantë ku është analizuar krijimi, hyrja dhe përdorimi i të ardhurave nga emigrantët në Shqipëri. Duke iu referuar këtij vëzhgimi, të ardhurat nga emigrantet pritet të vijnë në ulje gjatë viteve të ardhshme. Kjo prirje shpjegohet me familjarizimin e emigranteve në vendet ku jetojnë e punojnë. Gjithashtu, ky vëzhgim tregon edhe mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave që sigurojnë emigrantet për ushqim, veshje dhe blerje shtëpish. Pjesa tjetër shkon për investime dhe plotësimin e nevojave të tjera. Gjithashtu diskutimi ndalet edhe te kursimet e emigrantëve. Bazuar në këtë vëzhgim, në afat të mesëm apo të gjatë, emigrantët kanë planifikuar të kthehen në Shqipëri për të investuar në një klimë që pritet të përmirësohet.

"Ndërtimi i trajektores së ardhshme për eksportet', ishte diskutimi i z.Bardhyl Çeku, pedagog në Fakultetin Ekonomik. Në fjalën e tij z.Çeku analizoi disa nga problemet afashkurtra të ekspansionit të eksporteve shqiptare. Referuar autorit, vështirësia kryesore në zhvillimin e eksporteve janë identifikimi i avantazheve krahasuese dhe zhvillimi i prodhimit të brendshëm bazë. Disa nga sektorët potenciale që mund të kontribuojnë në zhvillimin e eksporteve në të ardhmen janë turizmi, bujqësia dhe nxjerrja e mineraleve. Çeku theksoi se zgjidhjet afatshkurtra dhe afatmesme për reduktimin e deficitit tregtar janë koordinimi i kujdesit për agjentet e brendshëm ekonomikë dhe kontributit të komunitetit ndërkombëtar.

Pedagogu i Fakultetit Ekonomik, z.Tonin Kola, diskutoi mbi efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë që ka nënshkruar Shqipëria. Në kuadër të procesit të integrimit marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit janë hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Nënshkrimi dhe zbatimi i MTL-ve është hap i rëndësishëm në procesin e integrimit rajonal. Përgjatë procesit të integrimit, MTL pritet të ndikojnë në rritjen e standartit të jetesës, rritjen e nivelit të punësimit, të ardhurave reale, prodhimin dhe tregtimin e të mirave, shërbimeve dhe kapitaleve

Gjatë panelit të dytë pati edhe shumë debate e diskutime lidhur me bashkëpunimin e vendeve të rajonit në kuadër të procesit të liberalizimit të llogarisë kapitale, efekteve të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që ka nënshkruar Shqipëria me vendet e rajonit, studimeve për të ardhmen e remitancave (dërgesave të emigrantëve) etj.

Konferenca do t'i vazhdojë punimet të premten, në ditën e dytë dhe të fundit me panelet "Ekonomiksi i trazicionit" dhe "Politika Monetare në rajon".