BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në Forumin “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike”, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave

Data e publikimit: 14.06.2022

 

Në datën 14 qershor 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në punimet e Forumit të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (SHSHB), me temë “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike”.

Forumi u hap me fjalët përshëndetëse të z. Bledar Shella, Kryetar i SHSHB-së; z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë; zj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë; dhe të z. Arben Ahmetaj, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Punimet e këtij forumi u fokusuan në trajtimin e kanaleve alternative të pagesave, uljen e cash-it në ekonomi dhe luftën ndaj informalitetit, si dhe në përdorimin e portalit e-Albania nga bankat.

498-5732

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko vlerësoi organizimin e këtij forumi si një hap të mëtejshëm dhe rrjedhojë logjike e diskutimeve dhe tryezave të përbashkëta midis sektorit bankar dhe institucioneve shtetërore në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Në krye të fjalës, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë një shtrat efektiv për krijimin e një revolucioni digjital në tregun e pagesave, nëpërmjet kuadrit ligjor e rregullativ në fuqi, i cili mund të konsiderohet i përparuar dhe në kontekstin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë në nivel rajonal, Shqipëria është vendi i parë që ka miratuar kuadrin e nevojshëm ligjor e rregullativ dhe po nxit zbatimin e “open banking” në treg.

Në këtë drejtim, Guvernatori vuri theksin në faktin se mbështetja dhe nxitja e pagesave elektronike, si në eksperiencat ndërkombëtare ashtu edhe në kontekstin shqiptar, janë parë si një nga mekanizmat më efikasë dhe të fuqishëm drejt formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë.

Më tej, ai shpjegoi se ky zhvillim kërkon investime dhe rregullime mjaft komplekse, të cilat do të promovojnë inovacionin në një ambient që do të garantojë siguri maksimale, çka bëhet më domethënëse në rastin e Shqipërisë, ku edukimi dhe përfshirja financiare janë relativisht të ulëta, ndaj nevoja për hedhjen e hapave inovativë dhe të sigurt nga ana e aktorëve të tregut është shumë e rëndësishme.

Në vijim, Guvernatori Sejko shtoi se nga Banka e Shqipërisë janë ndërmarrë edhe një sërë masash rregullative dhe zhvillimesh infrastrukturore, të cilat kanë në fokus pikërisht nxitjen e pagesave elektronike në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël.

Ai nënvizoi se tregu tashmë është ndërgjegjësuar dhe është i vetëdijshëm se digjitalizimi është e ardhmja, jo vetëm si rrjedhojë e revolucionit teknologjik që po ndodh në çdo fushë të jetës, por edhe nga pikëpamja e zhvillimit strategjik të tyre, në kuadër të minimizimit të kostove e rreziqeve të mbartura nga praktikat tradicionale, dhe njëkohësisht të rritjes së produktivitetit efektiv. 

Nëse deri pak vite më parë, pagesa e faturave utilitare, e gjobave, pagesave e tatimeve, doganave dhe sigurimeve shoqërore nëpërmjet internetit dhe celularit dukej një utopi, sot këto shërbime po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim nga publiku i gjerë. Për ta materializuar në shifra këtë zhvillim, vlen të përmendet se në vitin 2012, rreth 96% e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50% e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21% në degët e bankave.

Në këtë këndvështrim, Guvernatori Sejko vlerësoi se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking”. Harmonizimi dhe koordinimi i kësaj platforme me funksionalitetet e sistemit bankar, si dhe dhënia përparësi ndaj zhvillimeve të nevojshme që kërkohen në lidhje me to, do të sjellë jo vetëm një lehtësim dhe ndërveprim më efikas, por edhe shtim të sinergjisë midis të gjitha palëve të përfshira në këto procese.

Në përfundim, Guvernatori Sejko shprehu dhe një herë angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të mbështetur çdo zhvillim të nevojshëm, me qëllim arritjen e objektivave të synuar, si dhe përgëzoi Shoqatën Shqiptare të Bankave për punën e palodhur dhe të kahershme, duke nxitur dhe mbështetur çdo projekt, iniciativë ose nevojë të evidentuar nga tregu dhe më gjerë.