BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në Sesionin e 54-t të Institutit Ndërkombëtar të Statistikave

Data e publikimit: 24.08.2003

 

Me ftesë të Institutit Ndërkombëtar të Statistikave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Prof.Dr.Shkëlqim Cani mori pjesë në Sesionin e 54-t të Statistikave botërore që po zhvillohet në Berlin, nga data 13 deri më 20 gusht 2003, me pjesëmarrjen e më shumë se 2500 të ftuarve nga e gjithë bota nga fusha e statistikave, ekonomisë, bankingut qëndror, matematikës, inxhinierisë etj..

Konferenca po i zhvillon punimet në 5 sesione dhe temat gjatë ditëve të kaluara janë fokusuar kryesisht në zhvillimet dhe perspektivat e statistikave.

Tema e prezantimit e z.Cani ishte "Roli i statistikave në funksion të Politikës Monetare" dhe trajtonte si çështje kryesore ecurinë e politikës monetare; një paraqitje të statistikave makroekonomike; përdorimin e statistikave në procesin e vendimmarrjes dhe konkluzionet e rastit.

Prezantimi i z.Cani mbi zhvillimet kryesore të politikës monetare ishte i ndarë në tre çështje: skemën e përgjithshme të funksionimit të politikës monetare, periudhat kryesore dhe zhvillimet e politikës monetare në të ardhmen në aspektet makroekonomike, institucionale dhe statistikore.

Sa i përket politikës monetare gjatë viteve 1992-1996, Guvernatori ka veçuar një normë mesatare inflacioni 6 për qind, rritje të Produktit të Brendshëm Bruto(PBB) me 13.3 për qind, rritje të rezervës valutore në 3 muaj importe dhe një normë të këmbimit valutor kryesisht të stabilizuar.

Gjatë periudhës 1996-1997, vijoi më tej z.Cani, politika monetare do të përballej me problemet e dy fushatave elektorale në vitin 1996 dhe deficiti buxhetor do të dilte jashtë kontrollit (nga 6.5 % e PBB-së në '95, shkoi në 11.4 % në '96) ndërsa inflacioni shënoi shifrën 17.4 për qind. Gjatë kësaj periudhe, pati një neglizhencë të autoriteteve ndaj skemave piramidale të cilat ofronin norma interesi për depozituesit nga 13 në 30 për qind në muaj, duke përfshirë rreth 700 mijë klientë në një vlerë të depozituar që mendohet se ishte rreth 1.2 miliardë dollarë.

Gjatë kësaj periudhe politika monetare ishte thuajse inekzistente ndërsa vendi u përfshi nga një katastrofë sociale dhe kolaps ekonomik dhe në skemat piramidale do të humbisnin rreth 850 milionë dollarë, PBB do të ulej me 7.3 për qind, inflacioni do të kapte "qiejt" në 42.1 për qind ndërsa monedha vendase do të zhvlerësohej 50 për qind. Përgjigja e politikës monetare ishte vendosja e një norme interesi vjetor për depozitat, të paktën 32 për qind.

Duke u ndalur në politikën monetare nga viti 1998 deri më sot, Guvernatori Cani shpjegoi se instrumentet e politikës indirekte, të përdorura nga Banka e Shqipërisë, janë REPO-t (Marrëveshjet e Riblerjes), depozitat dhe huatë ditore, hua "Lombard" dhe rezerva e detyrueshme. Detyrimet ligjore e Bankës së Shqipërisë për zbatimin e politikës monetare kanë të bëjnë me rezervat valutore neto, asetet e brendshme neto dhe nivelin e financimit të deficitit buxhetor. Synim i ndërmjetëm i saj është mbajtja nën kontroll e agregatëve monetar me qëllimin final stabilitetin e çmimeve.

Periudha '98-2003 shënon ndryshime në instrumentet indirekte të politikës monetare, të cilat u zbatuan me sukses nga ana e Bankës së Shqipërisë duke pasqyruar një normë inflacioni vjetore në kufijtë 2-4 për qind, rritje mesatare të PBB-së me 6 për qind në vit, normë këmbimi të qëndrueshme të lekut me valutat e huaja dhe rritje të rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë. Por, sipas z.Cani, ende ekzistojnë probleme që në një mënyrë të caktuar lidhen me statistikat makroenonomike.

Më pas, Guvernatori Cani në prezantimin e tij përshkroi procesin e zhvillimit të statistikave makroekonomike dhe problemet që kërkojnë zgjidhje. Si çdo vend në trazicion, edhe Shqipëria pas vitit 1990 do të pësonte ndryshime të mëdha të të dhënave statistikore dhe deri në vitin 1993 të dhënat për ekonominë mbeteshin të paplota. Për herë të parë të dhënat statistikore për makroekonominë filluan të publikoheshin në fund të vitit 1992 falë asistencës së Departamentit të Statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në shtator të vitit 1996, vazhdoi z.Cani, të dhënat mbi paranë dhe statistikat e sistemit bankar të publikuara nga Banka e Shqipërisë do të konsideroheshin të plota. Progres të dukshëm do të shënonte anëtarësimi i vendit në Sistemin e të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së në vitin 1992, ndërsa më 22 maj 2002 Shqipëria do t'i bashkohej 8 vendeve të zhvilluara kur ky sistem do të prezantohej zyrtarisht. Më pas, Shqipëria u zgjodh si vend pilot nga FMN për përgatitjen e setit të informacionit mbi praktikat statistikore dhe ky model do të përdorej jo vetëm nga Evropa por edhe nga vende të tjera jashtë kontinentit evropian.

Sipas tij, mbetet për të vepruar në mbulimin me të dhëna në kohë reale pasi momentalisht statisikat sigurohen me 3-4 muaj me vonesë, përmirësimet në të dhënat nga bilancet e kompanive private, sektor që jep mbi 75 për qind të PBB-së, si dhe përmirësimet e duhura për të patur një mjedis ligjor dhe institucional më adekuat. Të gjitha këto, do të ndihmonin në zbatimin e një politike monetare më efikase.

Sa i përket rëndësisë së të dhënave statistikore në vendimmarje, sipas z.Cani, Banka e Shqipërisë veç të dhënave monetare, financiare dhe të bilancit të pagesave, i referohet kryesisht të dhënave të sektorit real (Indeksi i Çmimeve të Konsumit, tregu i punës dhe prodhimi i brendshëm), statistikave fiskale dhe të gjitha informacioneve që përfshijnë raportet mujore të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë, vazhdoi Guvernatori, në të ardhmen do të përdorë analizat statistikore, modelet makroekonomike për teknikat e përshtatshme të parashikimit për të gjetur një modelim makroekonomik për Shqipërinë. Parashikimi i inflacionit do të bëhet duke përdorur metodat ekonometrike, inflacionin bazë dhe inflacionin e importuar.

Si konkluzion, veçoi Guvernatori, në të ardhmen politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të orientohet drejt zbatimit të regjimit të Inflation-Targeting (Shënjestrimit të Inflacionit). Por ky zhvillim i ri në politikën monetare do të kërkojë të dhëna statistikore në kohë reale, jo vetëm fiskale dhe monetare por edhe të sektorit real dhe të bilancit të pagesave.

"Rritja sasiore dhe cilësore e të dhënave do të kërkonte angazhimin serioz të të gjitha autoriteteve pasi synimi afatgjatë i Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian që edhe për fushën e statistikave kërkon të njëjtat nivele si ato të vendeve anëtare të BE-së. Megjithëse është rrugë e gjatë dhe e vështirë, ne tashmë i kemi të qarta dhe tashmë kemi marrë angazhimet tona ", përfundoi z.Cani.

Gjatë qëndrimit në Berlin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pati takime me akademikë personalitete të statistikave, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të fushës së financës.