BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Dealer-ve

Data e publikimit: 26.10.2007

 

Në datën 25 tetor 2007, në ambientet e hotel "Tirana International", u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Dealer-ve.

Ky takim u përshëndet dhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili në fjalën e tij me këtë rast shprehu vlerësimin për riorganizimin dhe riaktivizimin e Shoqatës së Dealer-ve, si dhe për përpjekjet e bëra nga bordi i ri për anëtarësimin në Shoqatën Ndërkombëtare të Tregjeve Financiare, një organizatë kjo që do të promovojë mbi të gjitha, zhvillimin e tregut si dhe edukimin dhe trajnimin profesional.

Në të njëjtën kohë, gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani u përqendrua në rëndësinë që ka një treg ndërbankar i zhvilluar, i cili shërben si pikënisje e mekanizmit të transmetimit të normave të interesit, një prej kanaleve të transmetimit të vendimeve të politikës monetare në ekonomi.

Duke vlerësuar si të domosdoshme nevojën e zhvillimit të tregjeve, Banka e Shqipërisë ka përgatitur dhe shumë shpejt do të zbatojë një paketë të plotë rregullimesh, synimi i së cilës është krijimi i stimujve dhe minimizimi i rreziqeve në tregun financiar në Shqipëri. Konkretisht këto ndryshime konsistojnë në:

Hartimin e një ligji të ri për marrëveshjet e riblerjes, hartimin e kuadrit rregullativ dhe vënien në përdorim të parimit të dorëzimit të titullit kundrejt pagesës, uljen e frekuencës së mbajtjes së ankandeve të letrave me vlerë të Qeverisë, rritjen e bazës së investitorëve në tregun primar të obligacioneve qeveritare, si dhe përqindjet për klientët e favorizuar.

"Kjo paketë - tha Guvernatori Fullani, - "është ideuar për t'ju stimuluar, në drejtim të gjetjes së mundësive të reja fitimprurëse dhe nga ana tjetër, sigurimit të likuiditetit të nevojshëm me çmim të drejtë dhe të besueshëm në tregun sekondar të letrave me vlerë. Këto masa, janë të orientuara drejt nxitjes së aktivitetit, në mënyrë që ju të mos prisni klientin t'ju vijë në derë për të kërkuar të investojë, por ta kërkoni dhe ta gjeni vetë atë. Hapi i parë që duhet të merrni në këtë drejtim është: hiqni dorë nga klasifikimi i portofoleve sipas stilit karakteristik të fondeve të pensionit "letra të mbajtura deri në maturim". E thënë ndryshe, kjo kupton domosdoshmërinë për më shumë fleksibilitet, për më shumë diversifikim dhe ekzistencën e strukturave eficiente të administrimit të rrezikut. Do të doja që në përfundim të fjalës sime edhe një herë të theksoja se nuk mund të ketë zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm pa patur tregje financiare efektive. Tregu financiar me të gjithë segmentet e tij duhet t'i paraprijë sinjaleve dhe risive, që sjell dinamika e shpejtë e zhvillimit të sektorit privat dhe të ekonomisë, në përgjithësi".

Shoqata Shqiptare e Dealer-ve u krijua dhe filloi të operojë në tregun financiar shqiptar në vitin 2001, si një subjekt ligjor jofitimprurës. Si objektiv të saj, kjo shoqatë ka ndërmarrjen e iniciativave që lidhen me tregun valutor, pjesëmarrjen në hartimin e kuadrit ligjor bankar të këtij tregu dhe të legjislacionit bankar, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat tregtare, lidhur me çështjet e tregtimit të parasë.