BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e 15-të të Evropës Qendrore dhe Lindore

Data e publikimit: 26.01.2010

 

Në datat 19 – 20 janar 2009, Euromoney organizoi Forumin e 15-të të Evropës Qendrore dhe Lindore, në Vjenë, Austri. Ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës politike, ekonomike dhe financiare të Evropës Qendrore dhe Lindore. Tema kryesore e diskutimit në forum ishte ngadalësimi global ekonomik që erdhi si pasojë e krizës ndërkombëtare, stabiliteti i monedhës së vendeve të rajonit, si dhe sfidat në të ardhmen.

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve, ku një rëndësi të veçantë kishte edhe paneli i guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë panel merrnin pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Serbisë, z. Radovan Jelašic, Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë z.Durmus Yilmaz, z.Herbert Stepic Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Raiffeisen International Bank Holding, z.Nikola Fabris Drejtor i Departamentit Ekonomik të Bankës Qendrore të Malit të Zi, zv/Guvernatori i parë i Bankës Qendrore të Rusisë z. Alexei Ulyukaev, dhe z.Ljubinko Jankov Drejtor Ekzekutiv I Departamentit të Kërkimeve dhe Statistikave në Bankën Kombëtare Kroate.

Diskutimet e këtij paneli u përqendruan mbi sfidat me të cilat përballen bankat Qendrore në fazën aktuale, nga këndvështrimi i zhvillimeve globale dhe atyre rajonale; si dhe natyrën dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bankave Qendrore me homologet e bankat tregtare, në shmangien e pasojave negative të krizës jo vetëm në kuadrin e stabilitetit të sistemit bankar por edhe në orientimin e politikes monetare. Fokus i veçantë iu dedikua identifikimit të rreziqeve potenciale, rritjen e kreditimit për ekonominë, harmonizimit të politikës monetare me politikën fiskale, efektet që ka shkaktuar ngadalësimi global i rritjes ekonomike në ekonomitë e rajonit dhe aktivitetin e sistemit bankar, strategjitë e daljes nga politikat emergjente dhe shmangien e efekteve negative të tyre në ekonomi etj..