BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Forumin e 17-të të Evropës Qendrore dhe Lindore

Data e publikimit: 20.01.2012

 

Në datat 17-18 janar 2012, “Euromoney” organizoi Forumin e 17-të të Evropës Qendrore dhe Lindore, në Vjenë, Austri. Ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të njohura të fushës politike, ekonomike dhe financiare të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët diskutojnë mbi çështje aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe mbi sfidat e të ardhmes.

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku një rëndësi të veçantë kishte edhe paneli i guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave, të vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë panel, ishte pjesëmarrës edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili diskutoi mbi efektet e krizës globale në rajonin e Evropës Juglindore, me fokus trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar dhe atij makroekonomik.

Duke theksuar efektet e drejtpërdrejta që zhvillimet ekonomike dhe politikat e autoriteteve evropiane kanë në ekonomitë e rajonit të Evropës Juglindore dhe stabilitetin e tyre makroekonomik, Guvernatori Fullani nënvizoi se masat e marra nga autoritetet homologe në përgjigje të vështirësive të hasura nga ekonomi të veçanta evropiane, duhet të mbajnë parasysh zhvillimet aktuale dhe historike në rajon. Ai theksoi se rritja e transparencës dhe bashkërendimit të analizës dhe vendimmarrjes me rajonin, do të rriste efektshmërinë e këtyre masave. Bashkërendimi do të qetësonte tregjet dhe do të minimizonte efektet negative që politikat aktuale mund të tejçojnë në ekonomitë e rajonit, si nga këndvështrimi i stabilitetit makroekonomik ashtu edhe nga ai financiar. Fokusi në problemet dhe zgjidhjet individuale pengon identifikimin dhe vlerësimin real të problemeve rajonale. Aktualisht, bashkëpunimi dhe koordinimi i kërkuar nga rajoni është një kërkesë e rëndësishme e kohës, e artikuluar me forcë edhe nga organizmat ndërkombëtare.