BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në Forumin e Plotë të Nismës së Vjenës II

Data e publikimit: 24.10.2013

 

Në datat 21-22 tetor 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në Forumin e Plotë, të Nismës së Vjena II, i cili i zhvilloi punimet në Bruksel, Belgjikë.
Forumi i këtij viti mblodhi së bashku drejtues të bankave qendrore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, përfaqësues nga autoritetet mbikëqyrëse, nga ministritë e financave, nga bankat që operojnë në rajon, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare.

Gjatë punimeve të tij, pjesëmarrësit diskutuan mbi efektet që pritet të përcjellë në vendet e rajonit, kuadri i ri mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, si dhe masat që duhet të ndërmerren për të nxitur procesin e kreditimit në këto  vende.
Në këtë kuadër, një seksion i veçantë iu kushtua sfidave me të cilat përballen ekonomitë e vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, seksion i cili u drejtua nga Guvernatori Fullani.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis grupeve bankare të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse jashtë Bashkimit Evropian, shmangien e efekteve negative të uljes së levës financiare (deleveraging), si dhe rigjallërimit të procesit të huadhënies ndaj vendeve të rajonit. 

Shqipëria, si i vetmi vend joanëtar i Bashkimit Evropian që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës, është angazhuar  të përfaqësojë interesat e vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane. Si anëtar i Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II, Guvernatori Fullani përfaqëson në këtë nismë jo vetëm Shqipërinë, por dhe qëndrimin dhe interesat e vendeve të tjera joanëtare me shtrirje gjeografike në Evropën Lindore dhe veçanërisht në atë Juglindore. Në këtë kontekst, gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, shprehu propozimet e arritura gjatë takimit teknik me drejtues të bankave qendrore të rajonit, zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë.

Nisma e Vjenës II vijon aktivitetin e saj mbi suksesin e Nismës së Vjenës I, krijuar në kulmin e krizës financiare globale të periudhës 2008-2009. Ajo vazhdon të përdorë platformën privat-publik, që mbledh institucione financiare ndërkombëtare të rëndësishme, Komisionin Evropian dhe institucione të tjera të BE-së, grupet bankare ndërkombëtare kryesore, si dhe autoritetet e vendit të origjinës dhe atij pritës, në plotësim të nismave të tjera.