BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Konferencën Rajonale mbi Financat dhe Investimet për Evropën Juglindore

Data e publikimit: 22.10.2010

 

Në datat 19-20 tetor 2010, një delegacion i Bankës së Shqipërisë i kryesuar nga Guvernatori, z. Ardian Fullani mori pjesë në Konferencën Rajonale mbi Financat dhe Investimet për Evropën Juglindore, organizuar nga Euromoney, në Beograd të Serbisë.

Ky forum i përvitshëm mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës ekonomike, politike dhe financiare të Evropës Juglindore. Këtë vit temat kryesore të diskutimeve u fokusuan në gjetjen e shtigjeve të reja për nxitjen e rritjes së investimeve në vendet e Evropës Juglindore.

Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku një vend të veçantë kishte edhe paneli i guvernatorëve të bankave qendrore.

Diskutimet e këtij paneli u përqendruan mbi sfidat e bankierëve qendrorë, në shmangien e pasojave negative të krizës jo vetëm në kuadrin e stabilitetit të sistemit bankar, por edhe në orientimin e politikës monetare.