BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II

Data e publikimit: 17.01.2014

 

Në datë 13 janar 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e autoritetit përfaqësues të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore, mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Nismës së Vjenës II, i cili i zhvilloi punimet në Vjenë, Austri.

Gjatë takimit u diskutua dhe u ra dakord mbi prioritetet që Nisma e Vjenës II do të ketë gjatë vitit 2014. Më konkretisht:

- Promovimi i një unioni bankar gjithëpërfshirës, me fokus të veçantë drejt vendeve joanëtare në rajonin e Evropës Juglindore;

- Monitorim i kujdesshëm i uljes së levës financiare (deleveraging) dhe ecurisë së kreditimit në Evropën Qendrore, Lindore dhe atë Juglindore;

- Trajtimi i çështjes së kredive me probleme në Evropën Qendrore, Lindore dhe atë Juglindore, nëpërmjet përpjekjeve të gjithë palëve të interesuara;

- Rritja e kreditimit dhe administrimi i rreziqeve të lidhura për të mbështetur rigjallërimin e kredisë në Evropën Qendrore, Lindore dhe atë Juglindore, ku perceptimi i rrezikut është ende i lartë;

- Zhvillimi më i shpejtë i burimeve lokale të financimit në Evropën Qendrore, Lindore dhe atë Juglindore.

Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të punojë për arritjen e një qëndrimi të gjerë rajonal mbi sfidat me të cilat ndeshen vendet joanëtare, për të prezantuar argumente të qarta pranë autoriteteve të Bashkimit Evropian (BE), lidhur me trajtimin e tyre. Në këtë kuadër, ai inkurajoi Nismën e Vjenës II dhe autoritetet e BE-së të vijojnë sa më parë me axhendën e paraqitur, për të përfituar nga gatishmëria, dhe angazhimi i të gjitha palëve të interesuara në këtë proces.