BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në seminarin e gjashtë Euro-Mesdhetar të Bankave Qendrore të Eurosistemit dhe Mesdheut

Data e publikimit: 05.11.2010

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, mori pjesë në seminarin e gjashtë të nivelit të lartë të bankave qendrore të Mesdheut, i cili i zhvilloi punimet në Pafos (Qipro), në datën 27-28 tetor 2010. Ky forum i përvitshëm, i cili ul në një tryezë bisedimesh përfaqësues të Eurosistemit me bankat qendrore të Mesdheut, jo anëtare të Eurozonës, u organizua bashkërisht nga Banka Qendrore e Qipros dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të bankave të Eurosistemit, përfshirë z.Jean-Claude Trichet, President i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe z.Athanasios Orphanides, Guvernator i Bankës Qendrore të Qipros si dhe guvernatorët e bankave qendrore të Shqipërisë, Algjerisë, Kroacisë, Egjiptit, Izraelit, Jordanisë, Libanisë, Mauritanisë, Marokut, Autoritetit Kombëtar të Palestinës, Sirisë dhe Tunizisë. Gjithashtu në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Seminari i këtij viti, u përqendrua në sfidat e politikës monetare në vendet e Mesdheut në rrugën që duhet ndjekur për të arritur rimëkëmbjen ekonomike, në regjimet e kursit të këmbimit si dhe në ndikimin e krizës financiare në sektorin bankar dhe stabilitetit financiar në rajon.