BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani në simpoziumin e ekonomistëve Kinë-Evropë

Data e publikimit: 17.01.2013

 

Në datën 12 janar 2013, në Pekin, Forumi Zyrtar i Institucioneve Monetare dhe Financiare (OMFIF – Official Monetary and Financial Institutions Forum) në bashkëpunim me Forumin Financiar të Kinës 40 ( CF40 - China Finance 40 Forum) organizuan simpoziumin e ekonomistëve Kinë-Evropë me temë: “Ekonomia Kinë-Evropë: Sfidat dhe mundësitë e së ardhmes”.

Në këtë simpozium, mori pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e folësit kryesor. Në fjalën e tij, Guvernatori Fullani trajtoi gjendjen ekonomiko-financiare të Evropës në fillim të vitit 2013. Ai u përqendrua në ecurinë dhe në perspektivat ekonomike të Evropës si dhe në ndikimet që ato mund të kenë për rajonin e Evropës Juglindore, ku bën pjesë dhe vendi ynë.

Guvernatori Fullani u shpreh optimist mbi të ardhmen e afërt dhe atë të largët të ekonomisë evropiane, duke e cilësuar atë si një prej blloqeve kryesore të ekonomisë botërore edhe në dekadat që do të vijnë. Sipas tij, Evropa dhe Bashkimi Evropian (BE) ofrojnë një mjedis ligjor të përshtatshëm për investitorët, një fuqi punëtore të kualifikuar, si dhe institucione të qëndrueshme e të besueshme. Në fjalën e tij, Guvernatori Fullani veçoi rëndësinë e investimeve të huaja në vendet jo-anëtare të Eurozonës, por që janë vende kandidate potenciale për t’u anëtarësuar në BE, siç është edhe Shqipëria. Ai ftoi investitorët e huaj të investojnë në projektet e infrastrukturës, në shfrytëzimin e burimeve natyrore, në energjetikë e tregti.

Folës të tjerë kryesorë në këtë simpozium ishin: z. Vitor Constancio Zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane, z. Chen Yuan Kryetar i China Development Bank si dhe Kryetari i Këshillit të CF40, z. Ma Weihua, Presidenti i China Merchants Bank.Co.Ltd si dhe anëtar i Këshillit të CF40. Të pranishëm në simpozium ishin dhe përfaqësues të tjerë nga industria bankare, akademikë si dhe figura të njohura të fushës ekonomike e financiare në Evropë e më gjerë.

Gjatë qëndrimit të tij në Pekin, Guvernatori Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës. Gjatë takimit, Guvernatori Fullani e njohu Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Xiaochuan me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në sistemin bankar. Ai kreu një ekspoze të masave të marra nga Banka e Shqipërisë për të garantuar ruajtjen dhe stabilitetin e çmimeve në vend. Gjithashtu, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore. Në këtë kuadër, Guvernatori Fullani e cilësoi si mjaft të rëndësishme nxitjen e pjesëmarrjes së institucioneve financiare kineze në sektorin bankar shqiptar, si dhe vendosjen e linjave të mbështetjes me likuiditet valutor, përmes transaksioneve swap që mund të zhvillohen mes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës.

20130117 simpoziumi kine evrope 5625 0

Gjatë takimit, Guvernatori Zhou vlerësoi promovimin që zoti Fullani i bëri rajonit të Evropës Juglindore në prani të investitorëve kinezë. Ai u shpreh se Kina duhet të rrisë interesimin e saj për këtë rajon dhe se ai vetë do të jetë më aktiv në këtë drejtim. Po kështu, ai vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen një ambienti makroekonomik të qëndrueshëm dhe sigurimin e stabilitetit financiar të vendit. Ai u shpreh i gatshëm për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet dy bankave qendrore.

Kliko këtu për të lexuar fjalën e Guvernatorit.