BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin e 17-të të Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve frankofone

Data e publikimit: 19.05.2010

 

Në datat 12-15 maj 2010, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mori pjesë në takimin e 17-të të Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve frankofone. Takimi u zhvillua në Ottawa të Kanadasë, nën kujdesin e Bankës qendrore të Kanadasë, e cila këtë vit festoi dhe 75-vjetorin e krijimit të saj.

Në fokus të takimit të këtij viti kanë qenë diskutimet mbi sfidat politike dhe reformimin i axhendës pas krizës. Më konkretisht, guvernatorët pjesëmarrës kanë diskutuar mbi përvojat e vendeve të veçanta dhe masat stimuluese që ato ndërmorën si pasojë e krizës, mbi strategjitë që do të përdoren për daljen nga kriza dhe rolin e bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar, mbi ruajtjen e pavarësisë së bankës qendrore në të ardhmen, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendeve anëtare.

Takimet e Guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve frankofone organizohen një herë në vit në një nga vendet anëtare, ku Guvernatorët mblidhen në tryeza diskutimi, debatojnë si në planin teorik ashtu edhe në atë praktik për çështje të ndryshme, sjellin eksperiencat dhe praktikat e vendeve të tyre, ballafaqojnë rrugët e mënyrat e veprimit, rezultatet e arritura etj..

Ky takim është organizuar për herë të parë në vitin 1994 me nismën e ndërmarrë nga Banka e Francës. Në takim marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore të vendeve si më pas vijon: Algjeri, Armeni, Austri, Belgjikë, Bullgari, Burundi, Egjipt, Francë, Greqi, Guine, Gjeorgji, Haiti, Hungari, Kamboxhia, Kanada, Karaibet Lindore[1], Kepi i Gjelbër, Komoret, Republika Demokratike e Kongos, Kroaci, Laos, Liban, Lituani, Luksemburg, Madagaskar, Maqedoni, Marok, Ishulli Mauricio, Mauritani, Moldavi, Poloni, Republika Çeke, Sao Tome e Principe, Seishell, Sllovaki, Slloveni, Shtetet e Afrikës Qendrore[2], Shtetet e Afrikës Perëndimore[3], Ruandë, Rumani, Shqipëri, Tunizi, Vanuatu, Vietnam, Xhibuti, Zvicër.

Takimi i 18-të i radhës do të zhvillohet në Kamboxhia në vitin 2011.

[1] Banka Qendrore e Karaibeve Lindore është autoriteti monetar i gjashtë vendeve të pavarura të Karaibeve: Antigua dhe Barbuda, Grenada, Saint Kitt dhe Nevis, Dominika, Saint Lucia si dhe Saint Vicent dhe Granadinet si dhe i dy territoreve koloniale të Britanisë së Madhe: Anguilla dhe Montserrat.

[2] Banka e Shteteve të Afrikës Qendrore është banka qendrore e gjashtë vendeve që bëjnë pjesë në Komunitetin Ekonomik dhe Monetar të Afrikës Qendrore: Kamerun, Republika e Afrikës Qendrore, Çad, Guinea Ekuatoriale, Gabon dhe Republika e Kongos.

[3] Banka Qendrore e Shteteve të Afrikës Perëndimore është banka qendrore e tetë vendeve që bëjnë pjesë në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar të Afrikës Perëndimore: Benin, Burkina Faso, Bregu i Fildishtë, Guinea Bissau, Mali, Niger, Senegal dhe Togo.