BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi prezantimin e projektit SPI Albania - SPI Adriatic, Bari, Itali

Data e publikimit: 21.01.2008

 

Me mbështetjen e Rajonit të Pulias, në datën 19 janar në Bari, Itali u bë prezantimi i projektit SPI Albania - Special Projects Initiatives (Projekti i Iniciativave të Veçanta), i cili do të ketë në qendër të tij modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar në vendin tonë.

Në konferencën për shtyp që u mbajt me këtë rast, merrnin pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Bankës Qendrore të Malit të Zi për Mbikëqyrjen Bankare, z. Goran Kneževic, Presidenti i Rajonit të Pulias, z. Nichi Vendola, përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Biagio Bossone, përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencapligil si dhe drejtori i Qendrës Italo-Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe Shoqërore, z. Giovanni Ferri.

guvernatori ne takimin 3

Projekti SPI Albania - Special Projects Initiatives do të zbatohet me mbështetjen e Programit të Konvergjencës, i cili është një program i financuar nga Ministria Italiane e Ekonomisë dhe Financave dhe i administruar nga Banka Botërore. Ky projekt është njëkohësisht pjesë e projektit më gjithëpërfshirës SPI Adriatic, i cili është aktualisht në fazën e zhvillimit me qëllim promovimin e iniciativave të ngjashme në vendet fqinje me Shqipërinë. Me qendër në Tiranë, projekti SPI Albania do të ketë si objektiv të tij nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve financiare, sistemit bankar, përdoruesve të shërbimeve financiare dhe shoqërisë civile në vendin tonë me qëllim hartimin dhe zbatimin e një kuadri modern të reformave rregullatore. Ky projekt do të synojë rritjen e ndërmjetësimit financiar (veçanërisht në drejtim të dhënies së asistencës për kompanitë e vogla dhe të mesme si dhe për infrastrukturën lokale) dhe të ndikimit të tij në qëndrueshmërinë e procesit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e tij me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, falenderoi Rajonin e Pulias për mbështetjen e kësaj iniciative, duke u shprehur se SPI Albania përbën një nismë mjaft të dobishme për modernizimin e sektorit financiar në Shqipëri. "Në përputhje me angazhimin e përhershëm të Bankës së Shqipërisë për promovimin e bashkëpunimit rajonal, Banka e Shqipërisë do të punojë mjaft në drejtim të lehtësimit të kontakteve me autoritetet përkatëse të vendeve fqinje, me qëllim krijimin e një strukture të koordinuar zhvillimi, e cila do të promovojë konvergimin e standardeve dhe të praktikave bankare me ato të vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian".

Në përfundim të fjalës së tij, z. Fullani vlerësoi këtë projekt duke u shprehur se ai përbën një simbol të vëmendjes së Bashkimit Evropian ndaj përpjekjeve të vendeve, që shtrihen në bregun e detit Adriatik, për përshpejtimin e integrimit të tyre në BE.

Ky program përbën edhe një nga prioritetet e identifikuara të Qendrës Italo-Shqiptare për Kërkime Ekonomike e Shoqërore, e krijuar kohët e fundit me financimin e fondeve evropiane të Programit Italo-Shqiptar. Objektivi i kësaj qendre do të jetë dhënia e asistencës për projektet e bashkëpunimit rajonal, me qëllim arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal.