BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi publikimin e TRIBID-it dhe TRIBOR-it

Data e publikimit: 07.02.2007

 

Me hyrjen në fuqi të rregullores "Mbi llogaritjen e normave fikse të interesit në tregun ndërbankar të parasë", të miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 99, datë 27.12.2006, Banka e Shqipërisë ka filluar publikimin e TRIBID-it dhe TRIBOR-it.

TRIBID-i dhe TRIBOR-i janë mesatare të interesave të kuotuar nga bankat e nivelit të dytë për pranimin dhe për vendosjen e depozitave në tregun ndërbankar të parasë, ku bankat e nivelit të dytë kryejnë ndërmjet tyre veprime huamarrjeje dhe huadhënieje, në monedhën vendase - lek. Normat fikse të interesit të tregut ndërbankar të parasë, TRIBID-i dhe TRIBOR-i llogariten dhe publikohen për transaksionet me afat njëditor, njëjavor, 1-, 3-, 6- dhe 12-mujor.
Publikimi i tyre bëhet çdo ditë në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org dhe në faqen e saj në REUTERS me kod TRIBOR. Këto norma fikse përdoren nga Banka e Shqipërisë dhe nga të interesuarit për qëllime referuese, statistikore, vlerësuese dhe kontabilizuese.