BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi publikimin e parashikimit të faktorëve që ndikojnë nevojën për likuiditet

Data e publikimit: 23.01.2018

 

Për të plotësuar kuadrin e implementimit të politikës monetare, duke filluar nga data 23 janar 2018, Banka e Shqipërisë do të publikojë parashikimin e saj për faktorët që ndikojnë nevojën për likuiditet të sistemit bankar.

Parashikimi i nevojës për likuiditet në sistemin bankar bëhet për të përllogaritur madhësinë e operacioneve të BSH-së në treg të hapur. Banka e Shqipërisë, me anë të operacioneve të rregullta javore dhe operacioneve të tjera, i ofron tregut sasinë e nevojshme të likuiditetit, me qëllim që normat e tregtimit në tregun e parasë të luhaten rreth normës bazë të interesit.

Qëllimi i këtij publikimi është të drejtojë bankat gjatë pjesëmarrjes së tyre në ankandet e operacioneve në treg të hapur dhe pozicionimit të tyre në tregun e parasë, për të bërë të mundur përçimin me sukses të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, të sinjalizuar nga norma bazë.

Parashikimi do të bëhet publik bashkë me lajmërimin për ndërhyrjen e rregullt javore, çdo të martë në faqen zyrtare të BSH-së dhe në platformën Reuters.

Duke qenë se faktorët që ndikojnë nevojën për likuiditet janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë, ecuria e tyre mund të jetë e ndryshme nga pritjet e publikuara. Këto pritje përfaqësojnë parashikimin më të mirë të Bankës së Shqipërisë, bazuar në mjetet e saj të parashikimit. Megjithatë, ajo nuk merr përsipër përgjegjësinë për parashikimin e faktorëve që janë jashtë kontrollit të saj.

Publikimi i parashikimit të faktorëve që ndikojnë nevojën për likuiditet bëhet në përputhje me standardet e Bankës Qendrore Evropiane, dhe është një praktikë e ndjekur nga bankat qendrore, që e kanë të orientuar politikën monetare, drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.

Ky zhvillim kontribuon njëkohësisht edhe në rritjen e transparencës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Për informacione më të detajuara, shikoni pikën IV. Menaxhimi i Likuiditetit dhe Implementimi i Politikës Monetare në linkun e mëposhtëm:

Kuadri operacional i Bankës së Shqipërisë