BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi seminarin e 8-të të Kërkimeve për Evropën Juglindore, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Programi i Asistencës dhe Rritjes së Kapaciteteve Dypalëshe për Bankat Qendrore

Data e publikimit: 10.12.2014

 

Në datat 3-5 dhjetor 2014, Banka e Shqipërisë dhe Programi i Asistencës dhe Rritjes së Kapaciteteve Dypalëshe për Bankat Qendrore organizuan seminarin e 8-të të Kërkimeve për Evropën Juglindore (EJL) me temë “Globalizimi financiar dhe pasojat e tij mbi transmetimin e luhatjeve makroekonomike”

Në këtë seminar merrnin pjesë akademikë të njohur si dhe kërkues të bankave qendrore. Nëpërmjet këtij seminari, synohet që të zhvillohet më tej kërkimi në fushën e ekonomisë në EJL si dhe të zgjerohen njohuritë mbi tiparet e veçanta të ekonomive të rajonit. Nëpërmjet ndarjes së njohurisë shkencore dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta, seminari do të forcojë bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve.

Diskutimet e këtij seminari u fokusuan mbi temat e mëposhtme:

  • Globalizimi financiar dhe pasojat e tij mbi transmetimin e luhatjeve makroekonomike;
  • Ekspozimi ndaj financimit ndërkombëtar në sistemet bankare të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe goditjet e likuiditetit gjatë krizës;
  • Politikat e bankave qendrore që kundërveprojnë ndaj efekteve të krizës financiare. Bashkërendimi midis bankave qendrore dhe autoriteteve të tjera mbikëqyrëse të rajonit;
  • Roli i politikës monetare në stabilitetin financiar të rajonit gjatë krizës së fundit.

Punimet e këtij seminari, u përshëndetën dhe nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni. Në fjalën e saj, zj. Gjoni u shpreh se kërkimi është një aktivitet thelbësor i bankingut qendror në kohët moderne. Analiza mbi rolin e bankave në transmetimin e luhatjeve makroekonomike e financiare duhet të bazohet në kërkimin shkencor.

Gjatë fjalës së saj, zj. Gjoni falenderoi dhe Programin e Asistencës dhe Rritjes së Kapaciteteve Dypalëshe për Bankat Qendrore (BCC), me të cilin Banka e Shqipërisë është duke kryer një program bashkëpunimi mjaft të sukseshëm që nga viti 2013, pjesë e të cilit është edhe realizimi i këtij seminari.

Gjatë seminarit  u diskutua mbi ndikimin pozitiv që globalizimi financiar ka patur nëpërmjet rritjes së konkurrencës dhe eficiencës në sistemin e brendshëm bankar. Njëkohësisht, kriza e fundit financiare globale nënvizoi faktin se ky globalizim ndikon edhe në përçimin e goditjeve, duke ndikuar negativisht në uljen e ndërmjetësimit financiar, sidomos të vendeve në EJL. Megjithatë transmetimi i këtyre goditjeve është i ulët kur filialet e bankat të huaja janë të mirëkapitalizuara, kanë provigjione të konsiderueshme dhe janë juridikisht të pavarura nga bankat mëma.

Në përfundim të seminarit , të pranishmit u shprehën se aktivitete të tilla kërkimore janë mjaft të rëndësishme jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë praktik si për bankat qendrore ashtu edhe për akademikët të fushës së ekonomisë. 

Programi i Asistencës dhe Rritjes së Kapaciteteve Dypalëshe për Bankat Qendrore (BCC) është një program i bashkë financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Instituti i Studimeve të Larta Ndërkombëtare dhe të Zhvillimit (GIIDS). Qëllimi i tij është mbështetja e bankave qendrore partnere, të vendeve në tranzicion dhe në zhvillim, për ndërtimin e aftësive analitike dhe teknike, të nevojshme për transmetimin e politikës monetare me efiçiencë.