BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi shpalljen e fituesit të Projekt-idesë në Konkursin Ndërkombëtar për Ndërtimin dhe Rikonstruksionin e Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 29.02.2008

 

Banka e Shqipërisë, në zbatim të strategjisë afatmesme të saj në të cilën është parashikuar edhe zgjerimi i strukturës me qëllim rritjen e perfomancës dhe imazhit që ajo duhet të ofrojë si bankë qendrore në përputhje me standardet e bankave të tjera të këtij lloji në rajon dhe më gjerë, vendosi të ndërmarrë nismën konkrete për hartimin dhe realizimin e projektit për realizimin e një kompleksi të ri ndërtimor, që përfshin rikonstruksionin e ndërtesës ekzistuese të bankës, si edhe zhvillimin e saj brenda territorit ekzistues.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vendosi me procedurë të veçantë organizimin e një konkursi ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë, që do t'i japë zgjidhje një sërë kërkesave funksionale, teknike, teknologjike etj., të cilat do të përballojnë zgjerimin e strukturës së Bankës së Shqipërisë, si dhe rritjen e performancës nga ana e personelit të bankës.

Kompleksi i ri, që do të ndërtohet së bashku me rikonstruksionin e ndërtesës ekzistuese, do të jetë në përputhje me studimin e aprovuar të qendrës së Tiranës dhe do të mundësojë akomodimin e një personeli prej 400 personash, në përputhje me standardet që kërkohen.

guvernatori ne takimin 3

Ndër kërkesat e veçanta që duhet të kishin parasysh projektuesit, u theksuan ato që kanë të bëjnë me respektimin e vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë, e cila daton rreth viteve ‘30 të shekullit XX, duke përbërë një vepër të spikatur në stilin e kohës dhe me një vend të rëndësishëm në objektet e qytetit të Tiranës. Gjithashtu, u kërkua parashikimi i ambienteve që ndihmojnë Bankën e Shqipërisë në veprimtarinë e saj, të tilla si muzeu numizmatik, salla e mbledhjeve me kapacitet prej 150 veta, biblioteka e cila parashikohet të ketë edhe funksion publik, ambientet e arshivës, parkimi i automjeteve për rreth 200 vende, si dhe ambiente të tjera social-ekonomike.

Duke qenë se ndërhyrjet në ndërtesën ekzistuese për rikonstruksione të përgjithshme kanë munguar, projektuesit u ftuan të japin zgjidhje për problematikat e shfaqura në rrjetet instalative ekzistuese dhe zbatimin e teknologjinë bashkëkohore, si në fushën e impjantistikës, ashtu edhe në nivelin strukturor. Po në këto standarde, kanë qenë edhe kërkesat për ndriçimin, furnizimin me ujë, informatizimin, telefoninë etj..

Duke pasur parasysh rëndësinë që paraqet ky projekt, si dhe për të garantuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e subjekteve më prestigjioze në këtë fushë, Banka e Shqipërisë publikoi njoftimin për zhvillimin e konkursit ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë në gazetën prestigjioze "Financial Times" dhe në shtypin vendas. Njoftimi iu komunikua gjithashtu ambasadave të huaja, shoqatave profesionale, si dhe u botua në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Pas këtyre publikimeve, shfaqën interes për të marrë pjesë në konkurs 27 studio projektimi dhe projektues të huaj, nga të cilët 17 prej tyre paraqitën dokumentacionin përkatës.

Konkursi u zhvillua në tre faza, ku në fazën e parë u verifikua kualifikimi ligjor i dokumentacionit të detyrueshëm për paraqitje nga konkurrentët. Në fazën e dytë, nëpërmjet një jurie ndërkombëtare me ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, u krye vlerësimi teknik duke u ruajtur deri në këtë fazë fshehtësia e identitetit të 8 (tetë) konkurrentëve që kaluan fazën e kualifikimit ligjor. Në përfundim të vlerësimit, juria renditi në një listë përmbledhëse projekt-idetë sipas numrit të pikëve të fituara nga çdo konkurrent dhe vendosi për kualifikimin në fazën e tretë të 3 (tre) projekt-ideve, që fituan numrin më të lartë të pikëve.

Në fazën e tretë, përpara jurisë u paraqitën 3 (tre) konkurrentët e kualifikuar në fazën e vlerësimit teknik, për t'iu dhënë mundësinë të mbrojnë verbalisht projekt-idetë e tyre dhe në përfundim, bazuar në përllogaritjen e kryer, juria përcaktoi 3 (tre) fituesit e çmimeve si vijon:

Vendi i parë: Prof. Arch. Marco Petreschi
Vendi i dytë: Dini & Architettura Associati srl
Vendi i tretë: Associazione Professionale Studio Valle Progettazioni