BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 10.10.2016

 

Në datat 6 - 9 tetor 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë ku mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare.

6-9

Çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet në këto takime ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: “ekonomia globale vazhdon të rritet ngadalë dhe në mënyrë jo të njëtrajtshme, pasiguritë dhe rreziqet në kahun rënës janë rritur, ndërkohë zhvillimet e pafavorshme afatgjata vijojnë.”

Për këtë qëllim, Komiteti rekomandon që stimulimi i rritjes dhe garantimi i stabilitetit financiar të vendeve dikton nevojën për zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike, vazhdimin e politikave monetare mbështetëse, vendosjen e përparësive lidhur me reformat strukturore, ndërmarrjen e politikave efektive në fushën e sektorit financiar si dhe zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit global.

img_0274-300_copy_1

img_0295-300

Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët me përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: nga FMN-ja me z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, z. Dong He Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale, dhe nga grupi i BB-së me: z. Cyril Myller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, etj.

Gjatë këtyre mbledhjeve, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën pozitivisht lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm me autoritetet shqiptare, vlerësuan progresin e arritur me reformat dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të mëtejshëm të tyre.

img_0300-200

img_0292-200

img_0277-200 #3

Në këto takime, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit ku theksoi se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi. Guvernatori Sejko gjithashtu u shpreh se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Më tej, ai bëri një ekspoze të sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si dhe paraqiti kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike. Guvernatori gjithashtu u ndal në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar të vendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte nxitja e nivelit të kreditimit dhe ulja e kredive me probleme. Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë i ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend dhe në rritjen e kreditimit të ekonomisë, megjithëse kjo ecuri vlerësohet ende e brishtë.

Lidhur me çështjen e kredive me probleme dhe masave të marra nga ana e Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Fondit ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e çështjes së kredive me probleme ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë. Në përfundim, u theksua se sistemi bankar shqiptar vlerësohet financiarisht i shëndetshëm, me një nivel të lartë kapitalizimi dhe likuiditeti.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme, mes të cilave vlen të përmendet takimi me z. Murat Çetinkaya, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike nga ana e Bankës së Shqipërisë. Z. Çetinkaya vlerësoi perspektivat potenciale të bashkëpunimit dhe rritjes së ekspertizës përmes Qendrës së Kërkimeve dhe Arsimit në Stamboll, dhe mundësinë e forcimit në të ardhmen të bashkëpunimit në fushën akademike.

Guvernatori Sejko mori pjesë dhe në takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së si dhe në takimet e përbashkëta të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të disa konsistuencave të FMN-së.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Guvernatori Sejko mori gjithashtu pjesë në takimin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shqiptarët e diasporës. Qëllimi i këtij takimi ishte zhvillimi i një komunikimi produktiv me grupe të ndryshme interesi të diasporës, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në ngjalljen e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Guvernatori Sejko prezantoi dhe për studentët shqiptarë iniciativën e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të mirë, dedikuar studentëve të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë shkencore në aspekte të ndryshme të ekonomisë