BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit Sejko gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 15.10.2023

 

Në datat 12 -15 tetor 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Marrakesh, Mbretëria e Marokut.

6O2A7646 498

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare në këto institucione ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.

6O2A7647 498

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: Ekonomia globale u shfaq rezistente, sipas perspektivës së rritjes globale 2023, e cila u rishikua disi në pranverën e kaluar. Por rimëkëmbja ka qenë e pabarabartë, pasi veprimtaria ekonomike në shumë vende mbetet mjaft poshtë tendencave të parapandemisë, ndërsa divergjencat midis vendeve po vijnë duke u rritur. Projeksionet afatmesme të rritjes globale mbeten të dobëta. Inflacioni i përgjithshëm global ka rënë, ndonëse në disa vende mbetet shumë lart mbi objektivin. Inflacioni bazë ka rezultuar më i qëndrueshëm sesa parashikimi. Falë veprimeve këmbëngulëse të ndërmarra në fillim të vitit 2023 për të frenuar turbulencat financiare, rreziqet afatshkurtra janë më të balancuara, por mbeten në kahun e poshtëm. Lufta në Ukrainë, dobësitë në rritje të borxhit, shtrëngimi i kushteve financiare, goditjet e shtuara klimatike, pabarazia në rritje, refugjatët e popullsia e shpërngulur, pasiguria ushqimore, si dhe rreziku i fragmentimit mbeten shqetësime për ekonominë globale, duke ndikuar më së shumti vendet e shtresat e popullsisë më në nevojë.

6O2A7631 498

Banka e Shqipërisë u përfaqësua në këto takime me një delegacion të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë.

6O2A7550 498

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë takimet me: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Federico Giammusso; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Zëvendësdrejtorin e Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale, z. Miguel Savastano; Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Zëvendëspresidentin për Rajonin e Evropës në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), z. Alfonso Garcia Mora; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli.

6O2A7557 498

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se Shqipëria, si edhe vendet e tjera, u prek nga goditjet e pafavorshme ekonomike globale. Inflacioni në Shqipëri filloi të rritet në fund të vitit 2021, u përshpejtua me shpërthimin e agresionit të Rusisë në Ukrainë, arriti kulmin në tetor 2022 dhe filloi të ngadalësohej gradualisht më pas.

6O2A7546 498

Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, duke filluar nga marsi i vitit 2022. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga minimumi prej 0.50% në fillim të vitit 2022, në nivelin 3.00% në mars të vitit 2023.

6O2A7629 498

Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi se politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e mbështetur plotësisht në të dhëna, transparente dhe i është komunikuar në mënyrë efektive aktorëve vendas. Ai shtoi se aktualisht, norma bazë e interesit në vend është e ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, duke reflektuar një normë më të ulët inflacioni të përgjithshëm. Ndërkohë, parashikimet tregojnë për një reduktim gradual të tij, me një kthim në objektivin tonë prej 3% që pritet të arrihet në mesin e vitit 2024.

6O2A7713 498

Lidhur me politikat makroekonomike, Guvernatori theksoi se ato do të jenë të harmonizuara dhe do të punojnë së bashku për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme në periudhën afatmesme.

6O2A7699 498

Interesit të përfaqësuesve të FMN-BB për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar, Guvernatori Sejko iu përgjigj se sistemi financiar ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, falë përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë, të cilat kanë përmirësuar kuadrin rregullator dhe kanë reduktuar dobësitë. Përfaqësuesit e FMN-BB inkurajuan monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.

6O2A7585 498

Ata e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe avantazhet që jep fortësia e monedhës vendase. Së fundi, ata dakordësuan se harmonizimi dhe koordinimi i politikave, si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, është parakusht për të siguruar një mjedis optimal për një ekonomi të qëndrueshme.

6O2A7562 498

Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së e BB-së theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer midis institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.

6O2A7540 498

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me Zëvendësguvernatorin e Bankës së Italisë, z. Piero Cipollone. Diskutimet e këtij takimi u fokusuan kryesisht në zhvillimet e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji, si dhe sfidat e lidhura me to. Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën Botërore dhe Banca d’Italia për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, për të ofruar pagesa në kohë reale, me një siguri më të lartë, kosto më të ulët për qytetarët dhe për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s. Ndër vite janë marrë dhe zhvilluar hapa konkretë për arritjen e këtij objektivi me qëllim harmonizimin me praktikat evropiane në kuadër të integrimit në BE të vendit tonë. Banka e Shqipërisë i kushton një vëmendje të veçantë reformave dhe hapave të mëtejshëm që duhen hedhur në kuadër të integrimit të vendit, duke dhënë kontributin e saj të vazhdueshëm në këtë proces, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit në fushat e sistemit të pagesave, politikës monetare, mbikëqyrjes bankare etj.

6O2A7594 498

Gjithashtu, delegacioni pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme, takime në të cilat u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e BSH-së morën pjesë në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, në seancën plenare të Mbledhjeve Vjetore të FMN-BB, si dhe në punimet e seminarit të G30.

Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, z. Alfred Kammer, gjatë të cilit ai ka prezantuar zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit të vendit, si dhe potencialin e saj për investitorët e huaj.