BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Konferencës së 33-të Ekonomike, mbajtur në Vjenë nga data 12 - 13 maj 2005

Data e publikimit: 17.05.2005

 

Në datat 12-13 Maj, 2005 u zhvillua Konferenca e 33-të Ekonomike në Vienë të Austrisë me temë "Politika monetare dhe stabiliteti financiar", në të cilën ishte i ftuar dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani. Gjatë qëndrimit në Vjenë z. Fullani zhvilloi një sërë takimesh të shumta me përfaqësues të lartë të institucioneve financiare austriake.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Fullani i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare si edhe me zhvillimet në sektorin financiar të vendit.

Në takimin me Guvernatorin e Bankës Nacionale të Austrisë z. Klaus Liebscher, Guvernatori i shprehu falenderimet për marrëdhëniet e shkëlqyera, vlerësoi lidhjet historike dhe tradicionale si edhe bashkëpunimin e frytshëm me Bankën Qendrore të Austrisë. Nga ana e Guvernatorit, zotit Liebscher, u shpreh edhe një herë vullneti dhe gadishmëria për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë në përmirësimin e sistemit të pagesave, përdorimin gjerësisht të kartave të kreditit si mjet pagese në funksion të reduktimit të cash-it në ekonomi, dhënien e asistencës për Departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë lidhur me administrimin e cash-it, të rregulloreve, të procedurave etj.. Gjithashtu u diskutua lidhur me rëndësinë ndërkombëtare që ka marrë Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili po konsiderohet si një pasaportë për vendin në tregjet ndërkombëtare.

Në takimin me Ministrin Federal të Financave të Austrisë zotin Karl-Hainz Grasser u diskutuan zhvillimet ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, nxitja e eksporteve dhe e investimeve austriake në Shqipëri si edhe atyre shqiptare në Austri, krijimi i lehtësirave dypalëshe si heqja e tatimit të dyfishtë.

foto 891 0
Pershkrim i fotos: Guvernatori i Bankes se Shqiperise z. Ardian Fullani me Guvernatorin e Bankës Nacionale të Austrisë z. Klaus Liebscher

 

Në takimin me Anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Kontrollbank AG të Austrisë zotin Johannes Attems, ndër të tjera u diskutua dhe mundësia që Shqipëria në situatën aktuale, mund të financohet nga Austria me hua të buta për projekte të ndryshme në sektorë të ekonomisë si bujqësia, transporti, shërbimet dhe turizmi.

Në takim u diskutua lidhur me situatën aktuale të ekonomisë shqiptare, stabilitetin makroekonomik si edhe lidhjet tradicionale dhe perspektivat për zhvillim të mëtejshëm. Në këtë kontekst, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zoti Ardian Fullani kërkoi që nga Kontrollbank AG të rritet niveli i "Platfond"-it për Shqipërinë, që aktualisht është 1 milion euro dhe ka të bëjë me kufirin limit të garancisë që i jepet investitorëve dhe eksportuesve austriakë, që operojnë me Shqipërinë.

Në takimin me Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit Mbikëqyrës të Tregut Financiar në Austri, zotin Heinrich Traumuller, u diskutuan zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, puna që po bën Banka e Shqipërisë për zhvillimin dhe konsolidimin e tyre, bashkëpunimi me bankat rajonale në fushën e mbikëqyrjes bankare, bashkëpunimi dypalësh dhe mundësia e dhënies së asistencës teknike, nëpërmjet dërgimit në Bankën e Shqipërisë të një grupi këshilltarësh. Gjithashtu me interes ishte rënia në parim dakord për bashkëpunim dhe mbikëqyrje të përbashkët të Raiffeissen Bank në Shqipëri.

Gjithashtu, Guvernatori Ardian Fullani zhvilloi takime edhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Spanjës zotin Jaime Caruana, me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Nacionale të Austrisë zotin Josef Christl, si edhe me Zëvendëguvernatorin e Bankës Nacionale të Austrisë, zotin Wolfgang Duchatczek, i cili së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit Mbikqyrës të Tregut Financiar në Austri, zotin Heinrich Traumuller, do të zhvillojë një vizitë në Bankën e Shqipërisë në gjatë këtij viti.