BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në degën e Bankës Kombëtare Tregtare të rrethit të Elbasanit dhe në degën e Bankës Procredit të rrethit të Pogradecit

Data e publikimit: 11.02.2009

 

Në kuadër të takimeve rajonale në disa qytete të vendit tonë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani u nis sot në datë 11.02.2009 për një vizitë në rrethin e Korçës.

Gjatë rrugës për në Korçë, Guvernatori ndaloi në degën e Bankës Kombëtare Tregtare të rrethit të Elbasanit dhe në degën e Bankës Procredit të rrethit të Pogradecit, ku u përshëndet me përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit si nxënës, biznesmenë, punonjës të bankës si dhe qytetarë të thjeshtë.

Në këtë takim spontan, të hapur dhe miqësor, z. Fullani përmendi se zhvillimet më të fundit të ekonomisë ndërkombëtare e bëjnë të domosdoshëm vlerësimin objektiv dhe me realizëm të situatës së përgjithshme ekonomiko – financiare të vendit. Duke i siguruar të pranishmit se ekonomia shqiptare funksionon në kushte optimale dhe se sistemi bankar është fitimprurës, i kapitalizuar dhe likuid, Guvernatori theksoi se takime të këtij lloji kanë për qëllim një komunikim sa më të mirë me publikun, për ta ndërgjegjësuar atë për rolin e Bankës së Shqipërisë në konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë dhe financiarë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të monitoruar me kujdes të gjitha zhvillimet ekonomiko financiare në vend, duke qenë e gatshme për të ndërmarrë veprimet e duhura.

Gjithashtu, këto takime shërbejnë për të vjelë në mënyrë të drejtpërdrejtë ide, vlerësime dhe opinione të publikut për ekonominë dhe ecurinë e sistemit financiar, duke u bërë pjesë e dialogut për gjetjen e rrugëve dhe zgjidhjeve optimale për minimizimin e efekteve negative, që përcjell në vend ekonomia ndërkombëtare. Në këtë kuadër, takimi vijoi me diskutime në formën e një bashkëbisedimi të lirë, midis z. Fullani dhe pjesëmarrësve në sallë lidhur me çështje aktuale ekonomiko-financiare.