BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore

Data e publikimit: 30.04.2008

 

Në datat 12-16 prill 2008, z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Guvernator i Republikës së Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB) si dhe në Forumin Ekzekutiv të bankave qendrore me temë "Administrimi i aseteve dhe i rezervave valutore", organizuar nga Departamenti i Thesarit të Bankës Botërore.

Gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C., Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, së bashku me Ministrin e Financave, z. Ridvan Bode, zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe të BB-së.

Takimet me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të FMN-së, u zhvilluan diskutime me z. Murilo Portugal, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së, z. Jaime Caruana, Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale, z. Michael C. Deppler, Drejtor i Departamentit Evropian, z. Arrigo Sadun, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Gerwin Bell, Shef i Misionit të FMN-së për Shqipërinë si dhe me stafin e Misionit.

Ashtu si në takimet e viteve të kaluara, diskutimet u përqendruan në zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri, në rajon dhe në nivel botëror. Gjatë diskutimeve mbi zhvillimet e jashtme, theksi u vu në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore dhe të lëndëve të para, në destabilizimin e tregjeve financiare në Sh.B.A, në problemet e ekonomisë së Eurozonës dhe në sfidat me të cilat po përballen bankat qendrore dhe vendimmarrësit ekonomikë kudo në botë. Diskutimet për ekonominë shqiptare u përqendruan kryesisht në ecurinë e politikave makroekonomike dhe të reformave strukturore, në respektimin e objektivave sasiorë të programit të Shqipërisë me FMN-në si dhe në koordinimin e politikave makroekonomike me ato fiskale.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një përshkrim të gjerë të zhvillimeve në tregun bankar dhe financiar, duke u ndalur në çështje që lidhen me stabilitetin financiar dhe me zhvillimet në tregun e parasë si dhe në punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori u ndal në zhvillimin e vrullshëm të kreditimit të ekonomisë gjatë viteve të fundit, duke theksuar ndikimin pozitiv të këtij fenomeni në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Në këtë kuadër, u përmendën masat e ndërmarra nga ana e Bankës së Shqipërisë në drejtim të përmirësimit të mbikëqyrjes bankare, të cilat kanë konsistuar në ruajtjen e cilësisë së portofolit të aktiveve të bankave, në kufizimin e rreziqeve që lidhen me kreditimin në valutë, në rritjen e transparencës në shërbimet bankare si dhe në përmirësimin e cilësisë së drejtimit dhe të kontrollit të bankave. Banka e Shqipërisë ka synuar ta trajtojë këtë proces në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke zhvilluar takime të vazhdueshme me bankat e nivelit të dytë për të tërhequr edhe opinionin e tyre në lidhje me natyrën e problemeve dhe masat e propozuara për zgjidhje.

Guvernatori i informoi të pranishmit edhe mbi kontributin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, kryesisht në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe atë të stabilitetit financiar.

Gjithashtu, Guvernatori bëri një paraqitje të punës së Bankës së Shqipërisë në lidhje me përmbushjen dhe realizimin e parakushteve të nevojshme për adoptimin e regjimit të inflacionit të shënjestruar.

Guvernatori falenderoi FMN-në për ndihmën dhe asistencën teknike të dhënë, duke e vlerësuar atë si shumë të dobishme në ngritjen e kapaciteteve të stafit si dhe në përmirësimin e funksioneve analitike dhe studimore të Bankës së Shqipërisë.

Përfaqësuesit e FMN-së shprehën mbështetjen e tyre për masat e ndërmarra dhe punën e bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, nga ana e tyre u vlerësuan arritjet e Bankës së Shqipërisë në drejtim të administrimit të ankorimit në publik të pritshmërive inflacioniste. Gjithashtu, përfaqësuesit e FMN-së shprehën gatishmërinë për të vazhduar të mbështesin Bankën e Shqipërisë me programe të asistencës teknike.

Takimet me përfaqësuesit e Bankës Botërore

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të lartë të BB-së, u zhvilluan diskutime intensive me z. Shigeo Katsu, Zëvendëspresident për Rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore, z. Giovanni Majnoni, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, zj. Jane Armitage, Drejtore Rajonale për Evropën Juglindore si dhe me z. Lalit Raina, Kryespecialist për sektorin financiar.

Gjatë këtyre takimeve, u vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy institucioneve si dhe u inkurajua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i njohu përfaqësuesit e lartë të BB-së me zhvillimet makroekonomike në Shqiperi, me zhvillimet e tregut financiar dhe atij bankar si dhe me synimet e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Ashtu si edhe në takimet e mëparshme, një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve në sektorin energjitik si dhe nevojës urgjente për kryerjen e reformave strukturore në këtë sektor.

Forumi Ekzekutiv i Departamentit të Thesarit të Bankës Botërore mbi Administrimin e Aseteve dhe të Rezervave Valutore të Bankave Qendrore

Në datat 14 - 16 prill 2008, Departamenti i Thesarit të Bankës Botërore organizoi Forumin Ekzekutiv të Bankave Qendrore me temë "Administrimi i Aseteve dhe i Rezervave Valutore të Bankave Qendrore".

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në këtë Forum, ku pjesëmarrës ishin funksionarë të lartë të bankave qendrore nga shume vende të botës, të cilat, ashtu si edhe Banka e Shqipërisë, kanë marrëveshje me Departamentin e Thesarit të Bankës Botërore për Administrimin dhe Konsulencën për Investimin e Rezervës Valutore në kuadër të programit të Partneriteteve të Investimeve Sovrane (SIP).

Temat kryesore të trajtuara në këtë Forum kishin të bënin me kuadrin e vendimmarrjes në lidhje me politikat e investimit të aseteve dhe të rezervave valutore, operacionet e investimit, administrimin e rrezikut, shpërndarjen strategjike të aseteve si dhe me çështjet e diversifikimit të mjeteve të rezervës valutore.