BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimet me përfaqësues të Bankës Qëndrore Evropiane

Data e publikimit: 22.04.2005

 

Në datat 20-21 prill, me ftesë të Guvernatorit Ardian Fullani, vizitoi Bankën e Shqipërisë një delegacion i kryesuar nga z. Pierre van der Haegen, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Evropiane në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me seli në Frankfurt. Kjo është vizita e parë që zyrtarë të BQE-së bëjnë në Shqipëri, në kuadrin e nxitjes së marrëdhënieve midis BQE-së dhe bankave qendrore të Evropës Juglindore. Përfaqësuesit e BQE-së zhvilluan takime me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të institucionit. Takimet kishin kryesisht qëllime të njohjes dhe të vendosjes së kontakteve për fillimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve.

Në takimin e zhvilluar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u diskutua rreth çështjeve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe rreth zhvillimeve më të fundit në sektorin financiar të vendit tonë dhe sfidat me të cilat ai ballafaqohet.

Në takimet me zyrtarët e tjerë të Bankës së Shqipërisë, bisedat u fokusuan në zhvillimet makroekonomike në Shqipëri si dhe në fushat specifike ku do të përqendrohet bashkëpunimi dypalësh. Më konkretisht, ky bashkëpunim do të konsistojë në asistencën teknike që BQE mund t'i ofrojë Bankës së Shqipërisë në shumë fusha të bankingut qendror, sidomos në atë të analizave dhe të drejtimit të politikës monetare. Në të njëjtën kohë, mendohet të fillojnë të zhvillohen vizita të rregullta të stafit të Bankës së Shqipërisë në BQE, jo vetëm në kuadrin e asistencës teknike, por edhe për të njohur më nga afër mënyrën e funksionimit të këtij institucioni themelor të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, pjesë e të cilit do të bëhet edhe Banka e Shqipërisë në të ardhmen.

Në këto takime u fol edhe për nismën e Bankës së Shqipërisë për organizimin dhe mbajtjen e forumit të hapur "Qeverisja e Bankës Qendrore", që do të mbahet në fillim të dhjetorit 2005, për të cilin BQE do të ofrojë asistencën e saj.

Një temë tjetër ishte diskutimi i idesë së Guvernatorit Fullani në lidhje me shtrirjen dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal si në nivele të larta, ashtu edhe në nivel specialistësh, gjë e cila është në përputhje me synimet e BQE-së për të vendosur lidhje të gjera dhe të qëndrueshme me të gjitha vendet që janë kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, mendohet të zhvillohet një konferencë me bankat qendrore të rajonit në një të ardhme të shpejtë si edhe krijimi i një klubi rajonal të bankave qendrore me synim ngritjen e kapaciteteve të këtyre bankave në nivelet e kërkuara ndërkombëtare.